Kryeministri deklaroi se në Dellçevë, ashtu si edhe në mbi 1.200 lokacione në mbarë Maqedoninë e Veriut, po zhvillohen projekte të rëndësishme infrastrukturore, duke theksuar se vetëm në këtë komunë janë në realizim dhjetëra investime.
Ai përgëzoi kryetarin e Komunës së Dellçevës për, siç u shpreh, punën e përkushtuar dhe menaxhimin e sfidave me të cilat përballet komuna, duke veçuar edhe përpjekjet për zhbllokimin e llogarisë së saj.
“Pres që gjatë këtij mandati llogaria e komunës të zhbllokohet, në mënyrë që ajo të funksionojë normalisht. Dua të falënderoj edhe këshilltarët e Këshillit Komunal dhe administratën për mbështetjen që i japin kryetarit të komunës. Të gjithë së bashku po kontribuojnë që të realizohen projekte në interes të qytetarëve”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria mbetet e përkushtuar për të mbështetur komunat, pasi ato janë institucionet që janë më pranë qytetarëve dhe përballen çdo ditë me nevojat e tyre.
Ai theksoi se problemet e grumbulluara ndër vite nuk mund të zgjidhen menjëherë, por se përparimi po arrihet hap pas hapi.
“Komuna aktualisht po realizon 16 projekte përmes mjeteve të ndara nga Qeveria, ndërsa projekte të tjera do të financohen nga buxheti i saj. Jam i kënaqur me dinamikën e punimeve”, u shpreh ai.
Në fund, ai njoftoi se është shpallur tenderi për përgatitjen e zgjidhjes projektuese dhe studimit të fizibilitetit për rrugën eksprese në aksin Koçan–Vinicë–Dellçevë, duke shtuar se pret që zhvillimi i komunës të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
“Si Qeveri, do të vazhdojmë t’i mbështesim komunat. Edhe një herë e përgëzoj kryetarin e Komunës së Dellçevës për punën e përkushtuar dhe të fokusuar që po bën për qytetarët”, përfundoi ai.






