Koalicioni VLEN ka njoftuar se, sipas një sondazhi të realizuar gjatë muajit qershor nga Instituti për hulumtim **Stratum R&D**, renditet si forca e parë politike te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit, në pyetjen se për cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, **34 për qind** e të anketuarve janë deklaruar për VLEN-in, ndërsa **30 për qind** për BDI-në.
VLEN thekson se kjo është anketa e dytë brenda dy muajve që e rendit përpara BDI-së, duke e cilësuar këtë si dëshmi se qytetarët po mbështesin, sipas tyre, “politikën e rezultateve” dhe jo “politikën e propagandës”.
Në reagim, koalicioni ka numëruar një sërë arritjesh që i atribuon qeverisjes së tij, përfshirë miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Ligjit për Lojërat e Fatit, Ligjit për Medresenë, Ligjit për Jurisprudencën dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, si dhe organizimin e mbi 40 provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
Po ashtu, VLEN përmend hapjen e sistemit **One Stop Shop** në pikat kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë, realizimin e 306 projekteve për komunat shqiptare, krijimin e mbi 2.500 bizneseve të reja, mijëra punësime dhe avancime, fillimin e ndërtimit të kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, investimin prej 20 milionë eurosh për fazën e tretë të Sheshit “Skënderbeu”, rikonstruktimin e Spitalit të Tetovës me 74 milionë euro, ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë dhe të Korridorit 8, si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.
Në fund të njoftimit, VLEN ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, duke vlerësuar se mbështetja fitohet me punë dhe rezultate konkrete.






