Ndërmarrja publike “Komunaleci” nga Gostivari thekson se projekti për rinovimin e ujësjellësit të qytetit, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike – SECO dhe Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, ka përfunduar në masën rreth 98 për qind.
Pas raportimeve në disa media se projekti ka dështuar, nga “Komunaleci” deklarojnë se kjo nuk është e vërtetë dhe se për këtë posedojnë dokumentacion zyrtar.
“Punimet ndërtimore dhe teknike nuk janë kryer nga NP ‘Komunaleci’, por nga kontraktorë të angazhuar me kontratë, në përputhje me dokumentacionin e miratuar të projektit dhe nën mbikëqyrje të dyfishtë profesionale. Sipas dokumentacionit dhe informacioneve që zotëron NP ‘Komunaleci’, rreth 98 për qind e punëve të parapara janë realizuar dhe testuar. Për aktivitetet e kryera ekzistojnë regjistrime teknike, raporte dhe dokumentacion video. Për këtë arsye, nuk është e bazuar që i gjithë projekti të paraqitet si i parealizuar ose si një investim pa rezultat”, thonë nga NP “Komunaleci” – Gostivar.






