-Sistemet e ujësjellësit nuk duhet të sigurohen as nga Ushtria, as nga Policia. Çdo institucion që është përgjegjës për këto sisteme në kuadër të komunave duhet t’i kryejë detyrat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përcjell TV21. Në konferencën për media në Qendrën për Menaxhim me Kriza në Shkup, Toshkovski prezantoi informacionet më të fundit për situatën me ujin nga ujësjellësi i Gostivarit, duke theksuar se uji mund të përdoret vetëm për qëllime teknike, por jo për pirje dhe as për përgatitjen e ushqimit.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse mendon se duhet të rritet siguria e ujësjellësit me kontrolle më të shpeshta policore apo edhe me përfshirjen e Ushtrisë, siç propozoi opozita, Toshkovski tha se ushtria nuk duhet të angazhohet për sigurimin e sistemeve të ujësjellësit, veçanërisht në kushte paqeje.






