Punimet ndërtimore në mbikalimin te “Momin Potok” janë realizuar në 75 për qind. Ky segment pritet të përfundojë deri në Vitin e Ri, ndërsa pas vënies në funksion do të zvogëlojë ndjeshëm kaosin në trafik dhe do të mundësojë qarkullim më të sigurt, tha sot kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, gjatë inspektimit të punimeve së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Para shtatë muajsh, ky mbikalim ishte në stagnim të plotë, proceset ishin bllokuar dhe vetëm 10 për qind e eksproprijimit ishte zgjidhur. Tani eksproprijimi është 100 për qind i përfunduar. Të gjithë qytetarët janë kompensuar plotësisht nga Qyteti i Shkupit. Sot jemi në fazën ku 75 për qind e punimeve janë realizuar dhe, siç premtova, deri në Vitin e Ri ky segment do të përfundojë tërësisht”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt kompleks, i cili përfshin dy kilometra mure mbajtëse, shtigje për këmbësorë dhe biçikleta. Aktualisht po punohet në pesë ura, ndërsa të fundit janë në fazën përfundimtare.
Gjorgjievski njoftoi se deri në fund të vitit do të përfundojnë edhe dy projekte të tjera – zgjerimi i urës mbi lumin Serava dhe ura në bulevardin “Lubljanska”.
Ai shtoi se po punohet intensivisht edhe në bulevardin “Boris Trajkovski”, ndërsa në gusht pritet të fillojnë punimet për urën që do të lidhë komunat Gazi Babë dhe Aerodrom.
“Qeveria dhe kryeministri janë mbështetje e fuqishme për ne, jo vetëm për Shkupin dhe për mua, por për të gjithë qytetarët e Shkupit. Qeveria ka siguruar 60 milionë denarë për mbikalimin te Momin Potok. Ky është një nga projektet madhore që do ta përfundojmë”, theksoi Gjorgjievski.






