Dibra investon për sportin edhe në fshatra

Advertisement

Dibër, 23 korrik – Pushteti vendor i Dibrës, përmes programeve të punës, ka paraparë edhe rikonstruktimin dhe ndërtimin e terreneve sportive në vendbanimet rurale. Në përputhje me këto programe ka filluar rikonstruktimi i terreneve sportive në fshatin më të madh të komunës, Mogorçë. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ka informuar se projekti në fjalë ka një rëndësi të madhe për jetën e të rinjve në vendbanimet rurale.

“Komuna e Dibrës ka nisur punimet për rikonstruktimin e fushës shumëfunksionale sportive në Shkollën Fillore Komunale ‘Riste Risteski’ në fshatin Mogorçë, duke u ofruar nxënësve dhe banorëve një hapësirë moderne dhe funksionale. Me realizimin e këtij projekti do të krijohen kushte shumë më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, tha kryetari i komunës, Fisnik Mela. Sipas Melës, ky investim realizohet nga buxheti i Komunës së Dibrës. Terrenet sportive shumëfunksionale në fshatin më të madh të komunës kanë qenë për një kohë të gjatë të dëmtuara dhe, si të tilla, vitet e fundit nuk janë shfrytëzuar nga nxënësit dhe banorët e fshatit. Me rikonstruktimin e tyre, ato do të rikthehen sërish në funksion.

Përveç rikonstruktimit të terreneve sportive në Mogorçë, të cilat përdoren për futboll të vogël, basketboll, hendboll dhe sporte të tjera, pritet që aktivitete të ngjashme të realizohen edhe në terrenet sportive të fshatrave të tjera të komunës. Me këto investime synohet të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e jetës sportive të të rinjve në vendbanimet rurale, por edhe për realizimin e orëve të edukimit fizik në shkollat e këtyre fshatrave. Pushteti vendor ka bërë të ditur se në buxhetin lokal janë paraparë projekte të tjera për zhvillimin e fshatrave dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive, me synim krijimin e kushteve më të mira për aktivitet fizik dhe rekreacion. (V.S)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit