Stuhia që përfshiu vendin dje pasdite shkaktoi pasojat më të mëdha në zonën e SPB Shkup, ku deri në orën 22:00 të mbrëmjes janë evidentuar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, 7 semaforë të dëmtuar, 5 zjarre dhe 10 persona të lënduar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Përveç kësaj, janë dëmtuar edhe disa objekte me rëndësi jetike, ndër të cilat objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksi “Vili Vodno”, baza policore e Aeroportit në Petrovec, objekti “Nova Makedonija”, si dhe objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.
Në Pikën Kufitare “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, për shkak të rrjedhjes së ujit nga çatia, pati ndërprerje të punës në daljen nga shteti për rreth një orë e gjysmë.
Në zonat e SPB Kumanovë janë raportuar 9 automjete të dëmtuara dhe 3 çati të dëmtuara, në SPB Tetovë 3 dëmtime të automjeteve dhe 2 dëmtime të çative, ndërsa në zonën e SPB Veles janë raportuar dy automjete të dëmtuara nga pemët e rrëzuara.
Në zonën e SPB Strumicë janë raportuar shtylla elektrike të rrëzuara në fshatrat Dobroshinci dhe Gradoshorci, si dhe ndërprerje e furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë. Në zonën e SPB Shtip janë regjistruar 14 automjete të dëmtuara dhe 6 dëmtime të konstruksioneve të çative.
- “Në kuadër të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Veri, pasojat më të mëdha janë regjistruar në Pikën Kufitare “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, ku për shkak të rrjedhjes së çatisë u shkaktua ndërprerje e punës në daljen nga shteti për rreth një orë e gjysmë. Në Qendrën Transitore Tabanoc janë regjistruar dëmtime të një pjese të objekteve të përkohshme për strehimin e migrantëve (çadra dhe objekte ndihmëse), si dhe pemë të rrëzuara pa shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftimin e MPB-së.






