Dy persona janë arrestuar, ndërsa policia ka parandaluar dy raste të veçanta të kontrabandimit të migrantëve në Maqedoninë e Veriut. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dyshuarve do të ngrihen kallëzime përkatëse penale.
Rasti i parë ka ndodhur më 21 korrik në orën 12:25 në rrugën “Partizanski Odredi” në Gjevgjeli, ku efektivët e Stacionit Policor për Kalimin Kufitar dhe Mbikëqyrje Kufitare në Bogorodicë arrestuan S.S. (35) nga Strumica. Ai dyshohet për veprat penale “kontrabandim i migrantëve” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Gjatë kontrollit, policia konstatoi se ai drejtonte një automjet Audi A5 me targa të Kavadarit, të cilat i përkisnin një automjeti tjetër. Brenda veturës u gjetën pesë migrantë nga Afganistani, si dhe targa shqiptare, leje qarkullimi, karton i gjelbër dhe dokumente të një kompanie “rent a car”. Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacion policor.
Rasti i dytë ndodhi po më 21 korrik, rreth orës 17:50, në rrugën ekspres Gradsko–Prilep. Policia i dha sinjal ndalimi një automjeti Mercedes me targa të Shkupit, në të cilin transportoheshin migrantë, por drejtuesi nuk u ndal dhe vazhdoi arratisjen.
Pranë nyjës rrugore Krushevicë, automjeti humbi kontrollin dhe u përplas me mbrojtëset anësore të rrugës. Pas aksidentit, shoferi dhe migrantët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kërkimeve, policia gjeti dy migrantë nga Pakistani të plagosur, të cilët u dërguan në spitalin e Kavadarit për trajtim mjekësor dhe më pas në Qendrën Pritëse për të Huaj në Gazi Babë.
Pas masave intensive, më 22 korrik rreth orës 01:00, në të njëjtën zonë policia ndaloi një automjet Volkswagen Golf me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.M. (30), ndërsa pasagjer ishte I.N. (34) nga Shkupi, me vendbanim në fshatin Krushopek. Për shkak të dyshimeve të bazuara se ishte i përfshirë në kontrabandimin e migrantëve, I.N. u arrestua dhe u dërgua në stacion policor.
Pas dokumentimit të plotë të të dy rasteve, autoritetet kanë bërë të ditur se ndaj të dy të dyshuarve do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.






