Nela dhe Antonio vrapuan nga Struga deri në Shën Naum dhe u kthyen, për heroin e vogël Roman

Advertisement

Historia e vogëlushit Roman Leskaroski, djalit të Ivanës dhe Dejanit, vazhdon të frymëzojë njerëz me zemër të madhe. Të motivuar nga lufta e tij e jashtëzakonshme me disa diagnoza të rënda, dy të rinj vendosën të realizojnë një sfidë të veçantë sportive dhe humanitare.


Antonio Pandovski dhe Nela Stojanova vrapuan distancën jashtëzakonisht të vështirë Strugë – Ohër – Shën Naum dhe kthim, duke ia kushtuar çdo kilometër, çdo hap dhe çdo përpjekje Romanit të vogël dhe të gjithë fëmijëve në Maqedoni që përballen me sëmundje të rralla.

Ky supermaraton nuk ishte vetëm një provë fizike, por edhe një mesazh i fuqishëm solidariteti – se asnjë fëmijë dhe asnjë familje nuk duhet të ndihet vetëm në betejën e tyre.

Pavarësisht vapës, lodhjes dhe dhimbjeve gjatë rrugës, Nela dhe Antonio vazhduan përpara me një motiv të madh: buzëqeshjen dhe forcën e Romanit.

Romani lindi në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe që nga dita e parë tregoi se ishte një luftëtar. Tre vite më parë, jeta e tij ndryshoi kur iu shfaqën disa diagnoza të rënda, mes tyre tumor në hipofizë, diabet, epilepsi, diabet insipid dhe probleme me këmbët si pasojë e një forme të paralizës cerebrale.

Por pavarësisht gjithçkaje, vogëlushi vazhdon të luftojë me një forcë të jashtëzakonshme. Mjekët e cilësojnë si një rast të rrallë mjekësor, pasi edhe përballë sfidave të mëdha ai vazhdon të surprizojë me energjinë dhe optimizmin e tij.

Muajin e kaluar, Roman u ngrit sërish në këmbë pas një periudhe në karrocë invalidësh, pas një operacioni të rëndë në këmbë dhe transplantimit të palcës së kockës.

Pas përfundimit të sfidës, Roman i priti Nela dhe Antonion në Strugë dhe u dërgoi një mesazh emocionues:

“Antonio dhe Nela, kjo që po bëni për mua është shumë e madhe. Të fortë deri në fund, ju pres në Strugë.”

Nëna e tij, Ivana, tregon se çdo ditë me Romanin është një bekim dhe se ai, pavarësisht moshës së vogël dhe problemeve shëndetësore, i mahnit të gjithë me pjekurinë dhe dashurinë për jetën.

“Roman është fëmijë që ka dashuri për të gjithë botën. Ne jemi krenarë që është fëmija ynë dhe që na mëson çdo ditë si të duam jetën”, ka thënë Ivana.

Historia e Romanit dhe gjesti i Nelës dhe Antonios janë një tjetër dëshmi se humanizmi dhe solidariteti mund të japin forcë edhe në momentet më të vështira

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit