Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, nga Gostivari deklaroi se kriza shëndetësore ka hapur pyetje serioze lidhur me reagimin në kohë të institucioneve dhe përgjegjësinë e autoriteteve kompetente.
“Duhet të shtrojmë disa pyetje shumë të rëndësishme për atë që ka ndodhur gjatë periudhës së kaluar dhe të përcaktojmë se kush mban përgjegjësi për zhvillimet e deritanishme dhe për situatën aktuale. Gjithashtu, duhet të shohim se si mund të parandalohet dhe nëse ekziston rreziku për një katastrofë edhe më të madhe se ajo që po ndodh tani në Gostivar”, deklaroi Filipçe.
Ai pyeti pse institucionet nuk reaguan menjëherë sapo filloi të rritej numri i qytetarëve të sëmurë.
“Pse, kur pati një fluks të pacientëve në spital, nuk u hetua me kujdes arsyeja e këtij numri të shtuar, në mënyrë që të reagohej shumë më herët? Pse autoritetet shëndetësore nuk ndërmorën masa për ta menaxhuar situatën nga aspekti epidemiologjik dhe për të analizuar burimin e simptomave?”, tha Filipçe.
Sipas tij, opinioni publik ka të drejtë të dijë edhe pse uji nuk është kontrolluar çdo ditë.
“Pse uji nuk është analizuar çdo ditë? Pse Qendra për Shëndet Publik nuk e ka kontrolluar çdo ditë cilësinë e ujit?”, pyeti ai.
Filipçe paralajmëroi se edhe tani ekzistojnë rreziqe serioze nëse nuk sigurohet ujë i sigurt për qytetarët dhe objektet hotelierike.
“Nga e marrin ujin restorantet? Nga e marrin qytetarët dhe për çfarë e përdorin? Kush e ka kontrolluar atë ujë teknik? Nëse edhe tani përdoret ujë i papërshtatshëm, ekziston rreziku për një pasojë edhe më të madhe – helmime ushqimore dhe shfaqjen e një epidemie të re”, theksoi ai.
Ai kërkoi që Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente të publikojnë menjëherë të gjitha rezultatet e analizave të ujit dhe ta informojnë plotësisht opinionin.
“Autoritetet shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë, ministri dhe kryeministri nuk mund të heshtin për këto çështje. Ata duhet t’i publikojnë rezultatet e kontrolleve dhe të gjithë parametrat e analizave të ujit. Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën”, u shpreh Filipçe.
Në fund, ai theksoi se vizita e LSDM-së në Gostivar nuk ka karakter politik, por synon t’u ofrojë mbështetje qytetarëve më të prekur dhe të kërkojë përgjegjësi për dështimet institucionale që, sipas tij, çuan në këtë situatë shëndetësore.






