Mickoski: Kryetari i Gostivarit dhe gjithë të tjerët kanë përgjegjësi morale, hetimi do ta vërteton përgjegjësinë ligjore

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me situatën në Komunën e Gostivarit pas shpalljes së epidemisë, tha se të gjithë përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi morale, duke nisur nga kryetari i komunës e me radhë.

“Përgjegjësi morale, absolutisht, atje të gjithë, nga i pari deri te i fundit, duhet të mbajnë përgjegjësi. Përveç asaj që supozoj se prokuroria do të merret me një lloj tjetër përgjegjësie, pres që, nga kryetari i komunës e poshtë, të gjithë të mbajnë një përgjegjësi të caktuar morale”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se institucionet qeveritare do të vazhdojnë të ndërmarrin masa për të lehtësuar jetën e qytetarëve të Gostivarit, veçanërisht sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.

Mickoski tha se institucionet kompetente brenda dy ditësh e kanë përfunduar punën e tyre dhe se Instituti i Shëndetit Publik ka dorëzuar informacionet përkatëse në Prokurori.

“Tani është radha e Prokurorisë, përkatësisht prokurorit, i cili duhet të dalë me një kualifikim të rastit. Ndërkohë, si Qeveri, dje morëm masa për të siguruar 50 mijë litra ujë të ambalazhuar për qytetarët e Gostivarit. Kjo do të vazhdojë çdo ditë. Sasia e djeshme është shpërndarë këtë mëngjes, ndërsa sot presim tre kamionë të tjerë me rreth 60 mijë litra ujë”, tha kryeministri.

Ai theksoi se, sipas rekomandimeve të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dhe Institutit të Shëndetit Publik (IShP), uji në Gostivar aktualisht nuk duhet të përdoret as për nevoja teknike.

“Sistemi i ujësjellësit në Gostivar duhet të pastrohet, të bëhet klorimi dhe brenda një ose dy ditësh, ose tre ditësh, qytetarët të mund ta përdorin ujin për nevoja teknike dhe higjienë. Tani për tani, në gjendjen që është, nuk duhet ta përdorin as për higjienë”, tha Mickoski.

Ai shtoi se nga sot Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” në Gostivar duhet të nisë procesin e pastrimit të sistemit dhe dezinfektimit.

Lidhur me mundësinë e një revizioni për ndërtimin dhe rikonstruksionin e ujësjellësit, i cili përfundoi vitin e kaluar me mjete të siguruara edhe nga Qeveria dhe Agjencia Zvicerane, Mickoski tha se patjetër do të bëhet analizë.

“Ekziston mbikëqyrje që ka nënshkruar raport, sepse sipas Ligjit për Ndërtim çdo projekt i tillë duhet të ketë mbikëqyrje profesionale. Ka kompani dhe persona juridikë që kanë kryer mbikëqyrjen, kështu që gjithçka do të analizohet një nga një”, deklaroi ai.

Mickoski theksoi se për institucionet nën kompetencë të Qeverisë, masat janë ndërmarrë menjëherë, ndërsa sipas tij, për shkak të “mosveprimit në nivel lokal”, Qeveria është detyruar të reagojë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit