Drini i Zi u shndërrua sot në arenën e Maratonës së Parë të Notit, një aktivitet sportiv që mblodhi notarë, të rinj dhe dashamirë të sportit në zemër të Strugës.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, përmes një publikimi në rrjetet sociale, vlerësoi organizimin e këtij eventi, duke theksuar se maratona bashkoi energjinë e të rinjve me bukurinë natyrore të qytetit.
Gara u zhvillua në dy kategori: për fëmijë në distancën prej 600 metrash dhe për të rritur në distancën prej 2.5 kilometrash, duke tërhequr pjesëmarrës dhe spektatorë të shumtë.
Qyra shprehu mirënjohje për organizatorët, Klubin e Triatlonit dhe Notit 3 Disciplines, për realizimin e suksesshëm të kësaj ngjarjeje sportive, e cila synon të kthehet në një traditë dhe të promovojë Strugën si destinacion të sportit dhe turizmit.





