Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi dje se është i gatshëm t’i përmbahet propozimit të tij për anëtarësim të asociuar të Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Merz u shpreh se ky koncept ka marrë një pritje të përzier në Ukrainë për arsye politike të brendshme, por se ideja është mirëpritur nga liderët e tjerë të BE-së.
“Për plot 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë anëtar të ri në BE. Edhe pse i kemi premtuar një sërë vendesh në Evropë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Merz.
Ai vlerësoi se BE-ja ose duhet t’i tërheqë ato premtime dhe të thotë se është e pamundur që dikush të anëtarësohet – gjë që, siç tha ai, “do të ishte zgjidhja më e keqe për të gjithë” – ose të ecë përpara dhe të arrijë një progres të caktuar “hap pas hapi”.
“Mund ta quani ndryshe, por nëse humbim kredibilitetin, humbim më shumë se aq. I humbim ato vende, dhe gjeopolitikisht, kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte neve evropianëve”, shtoi Merz.
Ai konfirmoi se procesi i anëtarësimit në BE është i “komplikuar” dhe mund të mos përparojë aq shpejt sa do të dëshironin disa, por theksoi se është i vendosur që BE-ja të mbetet e besueshme me premtimet e saj për anëtarësim.
Merz ia dërgoi këtë propozim në formën e një “non-paper” liderëve të Bashkimit Evropian më 18 maj, ndërsa opinioni publik u njoftua për të tre ditë më vonë.
Propozimi nënkupton një integrim të përshpejtuar dhe vendosjen e statuseve kalimtare për kandidatët përpara anëtarësimit të plotë:
Për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë: Parashikohet statusi i vëzhguesit në organet e BE-së dhe qasje e privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe në institucionet e saj, përpara anëtarësimit formal.
Për Ukrainën: Parashikohet statusi i anëtarit të asociuar, gjë që do t’i mundësonte asaj të marrë pjesë në takimet e BE-së dhe të hapë kapitujt e negociatave, por pa të drejtë vote. (INA)





