Konferenca Botërore e Inteligjencës Artificiale 2026 dhe Takimi i Nivelit të Lartë mbi Qeverisjen Globale të Inteligjencës Artificiale do të zhvillohen nga 17 deri më 20 korrik në Shangai. Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian foli lidhur me këtë veprimtari në një konferencë për shtypin.
Lin Jian vuri në dukje se aktualisht teknologjia e inteligjencës artificiale po përparon në të gjitha fushat dhe ka hyrë në një periudhë aktive si kurrë më parë, duke i sjellë bashkësisë ndërkombëtare si mundësi, ashtu edhe sfida, e duke u bërë një temë e rëndësishme për qeverisjen globale në epokën aktuale.
“Vitet e fundit Kina është zotuar të bëhet një ofruese e produkteve publike ndërkombëtare, ka mbështetur e promovuar aktivisht zhvillimin e inteligjencës artificiale globale dhe i ka ndihmuar vendet e Jugut Global të forcojnë ndërtimin e inteligjencës artificiale. Këto përpjekje kanë fituar vlerësimin e lartë nga bashkësia ndërkombëtare. Ne presim që kjo konferencë të jetë një platformë për shtimin e besimit të ndërsjellë, arritjen e konsensusit dhe thellimin e bashkëpunimit midis palëve të ndryshme, për të nxitur së bashku zhvillimin e shëndetshëm, të sigurt e të rregullt të inteligjencës artificiale,” tha zëdhënësi i diplomacisë kineze





