Bozhinovska nga Glloboçica: Çdo denar i investuar në hidrocentralet sjell më shumë energji vendore dhe siguri më të madhe

Advertisement

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, vizitoi
hidrocentralin ,,Glloboçica”, ku së bashku me drejtorin e Degës HEC ,,Drini i Zi”, dr.
Goce Bozhinovski, inspektuan funksionimin e njërit prej kapaciteteve më të rëndësishme
hidroenergjetike në vend dhe diskutuan për aktivitetet e ardhshme investuese dhe
planet zhvillimore.
Në fokus të takimit të punës ishin rezultatet e prodhimit, realizimi i planit të prodhimit,
mirëmbajtja e rregullt dhe investuese, si dhe faza e ardhshme e revitalizimit të
hidrocentraleve ,,Glloboçica” dhe ,,Shpilje”
Veçanërisht inkurajues është fakti se hidrocentrali ,,Glloboçica” tashmë ka realizuar
rreth 80 për qind të prodhimit vjetor të planifikuar, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të
këtij viti ka furnizuar sistemin elektroenergjetik të Maqedonisë me 120 GWh energji
elektrike – gati 19 për qind më shumë se sa ishte planifikuar.
„Këto rezultate tregojnë se kur investohet në kapacitetet vendore të prodhimit, shteti
fiton më shumë siguri, stabilitet dhe prodhim të vet energjie elektrike. Prioriteti ynë
mbetet modernizimi i kapaciteteve ekzistuese, sepse ato janë themeli i një sistemi
energjetik të sigurt dhe të qëndrueshëm, theksoi ministrja Bozhinovska.
Në takim u prezantua edhe faza e tretë e revitalizimit të HEC-it ,,Drini i Zi”, e cila nis këtë
verë. Pjesa më e madhe e investimeve do të drejtohet pikërisht te hidrocentralet
,,Glloboçica” dhe “Shpilje”, ku janë paraparë ndërhyrje kapitale – zëvendësimi i
gjeneratorëve, rotorëve, kushinetave dhe bllok-transformatorëve, modernizimi i pajisjeve
hidromekanike, si dhe aktivitete të tjera që do të rrisin sigurinë, efikasitetin dhe
jetëgjatësinë e impianteve.
Paralelisht po zhvillohen edhe projekte të reja zhvillimore, ndër të cilat ,,Glloboçica 2”,
,,Shpilje 2”, një central fotovoltaik lundrues mbi akumulacionin e “Shpiljes”, modernizimi i
sistemit rregullues për kontrollin automatik të shkarkimeve dhe menaxhimin në distancë
të nivelit të Liqenit të Ohrit dhe lumit Drini i Zi, si dhe projekte të tjera që do të
kontribuojnë në rritjen e prodhimit vendor të energjisë së pastër.
HEC-i ,,Glloboçica”, i cili u vu në funksion në vitin 1965, prej më shumë se gjashtë
dekadash përfaqëson një nga shtyllat e sistemit elektroenergjetik të Maqedonisë. Që
nga fillimi i punës e deri më sot ka prodhuar mbi 10.500 GWh energji elektrike, ndërsa
falë proceseve të deritanishme të revitalizimit, fuqia e tij e instaluar është rritur nga 34,5
MW në 42,5 MW.

Ministrja Bozhinovska theksoi se investimet në kapacitete të tilla nuk janë vetëm
investime në infrastrukturë, por edhe investime në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik
dhe pavarësinë energjetike të shtetit.
,,Hidrocentralet janë energjia jonë vendore, e pastër dhe strategjike. Ato e zvogëlojnë
varësinë nga importi, sigurojnë prodhim të qëndrueshëm dhe përfaqësojnë një nga
shtyllat më të fuqishme të tranzicionit të gjelbër energjetik. Prandaj vazhdojmë me
investime që do të sigurojnë që këto kapacitete të prodhojnë në mënyrë të sigurt edhe
në dekadat e ardhshme”, u shpreh Bozhinovska.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit