Faqja zyrtare e MEPSO-s shtetërore, nuk është e disponueshme për shkak të sulmit haker të kryer gjatë fundjavës, në të cilin zyrtarët e MEPSO-s humbën aksesin në një pjesë të të dhënave, e cila është tani e kyçur ose i koduar.
Për të pestën ditë në MEPSO nuk kanë qasje në serverin ku bëhet menaxhimi financiar i kompanisë shtetërore dhe për këtë arsye nuk ka qasje në të dhënat dhe raportet financiare. Gjëja kryesore është që sistemi SCADA përmes të cilit monitorohet, kontrollohet dhe menaxhohet rrjeti apo sistemi i energjisë elektrike është i sigurt për momentin, njofton Telma, transmeton TV21.
MEPSO, pa informacion të detajuar për përmasat e sulmit, konfirmoi se përveç Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë angazhuar edhe ekspertë vendas dhe të huaj për të tentuar zhbllokimin e serverëve.
“Përsërisim se për këtë situatë janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe aktualisht janë duke u bërë analizat e IT-së, ku janë përfshirë ekspertë nga vendi dhe jashtë. Duke u bazuar në faktin se infrastruktura energjetike e AD MEPSO bie nën infrastrukturën kritike në vend, ne nuk mund të japim informacion shtesë përtej asaj që u prezantua në njoftimin e djeshëm”, thuhet në njoftimin e MEPSO-s.





