Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, këtë të enjte ka nisur zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas afateve të përcaktuara me Kushtetutë, legjislatura e re duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, përkatësisht deri më 9 gusht.
Me nisjen e këtij afati, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa për takim kryetarëve të tri partive më të mëdha opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Lajmi është konfirmuar për Dukagjinin nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.
“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, ka deklaruar Manxhuka.
Pas konstituimit të Kuvendit, do të nisin edhe procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.





