Komuna e Çairit ka hedhur poshtë pretendimet e këshilltarëve të opozitës lidhur me menaxhimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut, duke theksuar se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë është formuar që në muajin maj dhe është plotësisht funksional.
Sipas komunës, menjëherë pas reshjeve të dendura, ekipet kompetente, Shtabi i Krizave, ndërmarrjet publike dhe institucionet përgjegjëse kanë dalë në terren dhe kanë ndërhyrë në të gjitha lokacionet ku ka pasur nevojë për veprim urgjent. Paralelisht, siç bëhet e ditur, ka nisur edhe evidentimi i dëmeve të paraqitura nga qytetarët dhe bizneset.
Komuna thekson se procesi i vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve po zhvillohet në përputhje me ligjin, metodologjinë dhe afatet e përcaktuara.
“Nga kjo rezulton se këshilltarët e opozitës kërkojnë të bëhet diçka që është bërë që në muajin maj të këtij viti. Komisioni është formuar me vendim të Këshillit të Komunës, që do të thotë se të gjithë këshilltarët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë qenë në dijeni se ky trup është formuar”, thuhet në reagimin e Komunës së Çairit.
Komuna shton se institucionet lokale po veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe se procedurat për vlerësimin e dëmeve do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të tyre.
KOMUNA E ÇAIRIT:
“Menjëherë pas reshjeve të dendura, ekipet e Komunës së Çairit, Shtabi i Krizave, ndërmarrjet publike dhe institucionet kompetente dolën në terren dhe ndërhynë në të gjitha lokacionet ku u paraqit nevoja. Paralelisht, ka nisur evidentimi i dëmeve të paraqitura, ndërsa Komisioni do të vazhdojë procedurat e vlerësimit dhe përpunimit të tyre në përputhje me metodologjinë dhe afatet e përcaktuara me ligj. Nga kjo rezulton se këshilltarët e opozitës kërkojnë të bëhet diçka që është bërë që në muajin maj të këtij viti. Komisioni është formuar me vendim të Këshillit të Komunës, që do të thotë se të gjithë këshilltarët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë qenë në dijeni se ky trup është formuar”





