22 mijë euro më pak borxh, 22 mijë euro më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve të Strugës

Advertisement

Komuna e Strugës realizoi me sukses shitjen e automjetit zyrtar që për vite me radhë ishte shndërruar në simbol të luksit të tepruar dhe keqmenaxhimit të parasë publike.

Procesi u zhvillua përmes ankandit publik, ku morën pjesë 9 palë të interesuara nga Struga, Ohri, Manastiri dhe Shkupi. Pas një gare të hapur dhe transparente, ofertën më të lartë, në vlerë prej 22.000 euro, e paraqiti një kompani nga Manastiri, e cila u shpall fituese e ankandit.

Këto mjete do të kontribuojnë drejtpërdrejt në uljen e borxhit të Komunës së Strugës dhe janë një dëshmi se me vendime të përgjegjshme mund të lehtësohet barra financiare që për vite me radhë u është lënë qytetarëve.

Administrata aktuale beson se Komuna e Strugës nuk ka nevojë për automjete luksoze, por për një administratë efikase, institucione funksionale dhe investime që u shërbejnë qytetarëve. Koha kur paratë publike shpenzoheshin për privilegje duhet t’i përkasë së kaluarës.

Çdo euro e kursyer nga shpenzimet e panevojshme është një euro më shumë për rrugë më të mira, shkolla, çerdhe, hapësira publike dhe shërbime cilësore për qytetarët. Pikërisht kjo është filozofia e qeverisjes së re: më pak luks për pushtetin dhe më shumë investime për Strugën.

Komuna e Strugës do të vazhdojë me politikën e racionalizimit të shpenzimeve, rritjes së transparencës dhe uljes graduale të borxhit publik. Vetëm përmes menaxhimit të ndershëm dhe të përgjegjshëm të financave mund të ndërtojmë një komunë më të zhvilluar, më të qëndrueshme dhe me më shumë mundësi për çdo qytetar.

Ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe një hap konkret drejt rikthimit të besimit të qytetarëve se pasuria publike menaxhohet me përgjegjësi dhe në interes të tyre.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit