Shkup, 1 korrik – Sekretari organizativ i BDI-së Nebi Rexhepi akuzoi Qeverinë aktuale se për dy vjet ka bllokuar dhe sabotuar projektet më strategjike infrastrukturore të vendit, Korridorin 8 dhe Autostradën Shkup-Bllacë, projekte që sipas tij janë siguruar, financuar dhe nisur gjatë kohës kur BDI-ja ishte në pushtet.
Për Autostradën Shkup-Bllacë tha se Qeveria humbi dy vjet duke u përpjekur ta ndalë, por në fund u detyrua ta vazhdojë, siç tha projektin e BDI-së.
“Në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim, i drejtojmë Qeverisë disa pyetje publike: – Pse ende nuk janë lëshuar në përdorim dy kilometrat e përfunduar të Autostradës Shkup – Bllacë? – Kush mban përgjegjësi për dy vitet e humbura? – Pse u shpenzuan para publike për analiza dhe ekspertiza që kishin vetëm një qëllim: ta vononin projektin? – Dhe mbi të gjitha, pse zvarriten pikërisht projektet që lidhin vendin tonë me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, projekte të nisura dhe të siguruara gjatë kohës kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e Qeverisë?”, tha Nebi Rexhepi – sekretari organizativ i BDI-së . përcjell Zhurnal.mk .





