Mickoski do të kontrollojë faturë pas fature çmimet në markete

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se për të çmimet e produkteve në markete janë prioritet i lartë dhe se, nëse është e nevojshme, analiza do të bëhet faturë pas fature, raporton Nezavisen, transmeton Zhurnal.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me çmimet e produkteve ushqimore në markete dhe nëse ka realizuar takim me distributorët dhe prodhuesit – takim i paralajmëruar pas mbledhjes me përfaqësues të marketeve para rreth dhjetë ditësh – Mickoski tha se në Qeveri po hyjnë në detaje të kësaj problematike dhe se ai personalisht po merret me identifikimin e rreth 6.000 produkteve që hyjnë në statistika.

“Personalisht e kam si prioritet të lartë”, tha Mickoski.

Ai njëkohësisht u referua te të dhënat e Eurostatit, sipas të cilave shporta bazë e konsumit në Maqedoni është më e lira në Evropë.

“Bindshëm më e lira, diku 49,7 për qind e mesatares evropiane. A është kjo e mjaftueshme? Jo, por kjo i demanton të gjithë ata që nuk duan që ky shtet të ketë sukses, që nuk duan ta shohin Maqedoninë krenare dhe të përparuar, dhe që janë praktikisht të gjithë ata gjuhë të këqija që krijojnë një atmosferë të zymtë në shoqëri. Këto të dhëna, këto parametra i demantojnë ato elemente antishtetërore në Maqedoni”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme dhe duhet të punohet më tej.

“Do të punojmë dhe unë personalisht ju them, po punoj në metodologjinë e identifikimit të 600–700 produkteve që maten statistikisht dhe drejtpërdrejt për to do të shkojmë faturë pas fature, produkt pas produkti, do t’i analizojmë ku mund të ulim dhe si mund të ulim. Kjo është një operacion i thellë që e udhëheq personalisht dhe pres shumë shpejt të ketë rezultate që do të jenë të dukshme në terren”, tha Mickoski.

Mickoski javën e kaluar, pas takimit me përfaqësuesit e zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve, njoftoi se është përcaktuar objektivi që norma vjetore e ndryshimit të çmimeve të produkteve bazë ushqimore në korrik të këtij viti të jetë nën 3 për qind, dhe paralajmëroi takim në këtë drejtim edhe me prodhuesit dhe distributorët.

Ndërkohë, siç ka paralajmëruar Inspektorati Shtetëror i Tregut, do të bëhet analizë krahasuese mes çmimeve të të njëjtit produkt nga furnitorët drejt marketeve dhe çmimeve të marketeve për konsumatorët, për majin e këtij viti krahasuar me majin e vitit të kaluar. Qëllimi, tha Mickoski, është të shihet se çfarë krijon situatën e rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit