Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, zhvilloi një takim pune me drejtoreshën e Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrësi – INOVA, Daniela Dimovska, ku u dakorduan një sërë aktivitetesh të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve të komunave, përfshirjen më të madhe të të rinjve dhe nxitjen e zgjidhjeve inovative në zhvillimin lokal informon Tetovasot.
Si aktiviteti i parë i përbashkët u dakordua realizimi i programit “Muajt e Praktikës”, i cili do të zhvillohet gjatë muajve gusht dhe shtator. Agjencia INOVA, në bashkëpunim me universitetet shtetërore, do të koordinojë përfshirjen e studentëve, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të organizojë praktikën e tyre nëpër komuna sipas nevojave të administratave komunale.
Qëllimi i programit është afrimi i të rinjve me administratën lokale, njohja e tyre me funksionimin e komunave, si dhe sjellja e ideve të reja dhe qasjeve bashkëkohore që mund të përmirësojnë proceset administrative dhe shërbimet për qytetarët.
Një tjetër segment i rëndësishëm i bashkëpunimit është hartimi i thirrjeve publike bazuar në nevojat reale të komunave. Përmes programeve grantore të INOVA-s do të ofrohet mbështetje financiare për startup-et, kompanitë inovative dhe sipërmarrësit që do të propozojnë zgjidhje konkrete për sfidat lokale.
Po ashtu, Qendrat për Zhvillimin e Rajoneve Planifikuese do të shërbejnë si pika rajonale informative të INOVA-s, duke mundësuar promovimin e programeve dhe thirrjeve publike për qytetarët, të rinjtë dhe bizneset në nivel lokal.
Sipas dy institucioneve, bashkëpunimi synon të krijojë një kornizë funksionale ndërmjet vetëqeverisjes lokale, komunitetit akademik dhe sektorit privat, me qëllim që njohuritë, inovacionet dhe teknologjitë e reja të vihen në shërbim të zhvillimit të komunave dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.TS





