Qendra Tregtare e Qytetit (GTC) në Shkup e mbylli vitin 2025 me humbje prej 300 mijë eurosh, mbi 2 milionë euro u shpenzuan për paga

Advertisement

Shkup, 29 qershor – Qendra Tregtare e Qytetit (GTC) në Shkup e ka mbyllur vitin 2025 me humbje prej rreth 300 mijë eurosh, pavarësisht rritjes së të hyrave. Kjo u bë e ditur në raportin vjetor të punës, i cili u miratua nga Kuvendi i Aksionarëve.

Sipas raportit, të hyrat totale gjatë vitit 2025 arritën në 268,9 milionë denarë, ndërsa shpenzimet në 287,3 milionë denarë, duke rezultuar me një humbje prej 18,28 milionë denarësh (rreth 300 mijë euro). Megjithatë, kjo humbje është rreth 100 mijë euro më e ulët krahasuar me vitin 2024.

Menaxhmenti i GTC-së vlerëson se arkëtimi i vështirësuar i borxheve ka ndikuar negativisht në likuiditetin e ndërmarrjes, duke kufizuar investimet vetëm në mirëmbajtjen bazë, rikonstruksionin e instalimeve të amortizuara dhe punime të vogla rinovuese. Gjithashtu, theksohet se për një pjesë të lokaleve afariste nuk ka interesim për qira për shkak të lokacioneve më pak atraktive.

Raporti tregon se të hyrat nga qiraja e lokaleve, magazinave dhe tarracave janë rritur për 8 për qind, ndërsa të hyrat nga parkingu janë rritur për 26 për qind dhe kanë arritur në 42 milionë denarë (rreth 700 mijë euro). Ndërkohë, të hyrat nga reklamat janë rritur me 2 për qind.

Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve ka shkuar për pagat e të punësuarve. Gjatë vitit 2025 janë paguar 120,6 milionë denarë (rreth 2 milionë euro) për paga dhe kontribute, që përbëjnë afro 42 për qind të shpenzimeve totale të ndërmarrjes.

Shpenzimet për energji elektrike kanë arritur në 77 milionë denarë, ose 27 për qind të shpenzimeve të përgjithshme, ndërsa për kompensimet e Bordit Drejtues janë shpenzuar afro 16 mijë euro.

Në raport thuhet gjithashtu se GTC vazhdon të përballet me probleme të trashëguara, përfshirë konteste gjyqësore, çështje të pazgjidhura pronësore, kërkesa për korrigjim të sipërfaqeve, si dhe borxhe të papaguara nga kompani që kanë përfunduar në falimentim ose likuidim. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit