Një banesë në Prishtinë është kapluar nga zjarri.
Banesa në Parkun e Qytetit në rrugën “Isa Kastrati”, në kryeqytet është kapluar nga flakët në orët e para të mëngjesit, raporton Ekonomia Online.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në kryeqytet, Lulzim Fushtica, ka deklaruar se zjarri tashmë është lokalizuar, duke treguar se janë lënduar dy qytetarë, ku njëri nga ta është një fëmijë pesë vjeçar.
Sipas Fushticës ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe pesë zjarrfikës.
‘Ekipet janë angazhuar. Pra për momentin i kemi këtu Brigadën Policore anti zjarrfikësve, Policinë e kryeqytetit, ekipet e emergjencës mjekësore të drejtorisë për siguri dhe emergjenca dhe tani deri sa po flasim që pesë orë jemi këtu dhe zjarri është lokalizuar. I kemi të lënduar dy qytetarë të cilët kanë qëlluar në banesë, njëri prej tyre është fëmijë pesë vjeçar i cili është në emergjencë dhe gjatë intervenimeve edhe pesë zjarrfikës kanë kërkuar ndihmë, mirëpo nuk janë lëndime të mëdha, por janë lëndime të them profesionale gjatë kryerjes së punës së tyre dhe ata të gjithë janë trajtua nga ekipet emergjente që janë në vend të ngjarjes”, ka thënë ai.
Fushtica, ka thënë se është ende shumë herët të flitet se çka e ka shkaktuar zjarrin.
“Është shumë herët të flitet për shkaktarët, procedurat janë se deri të lokalizohet, të fiket zjarri e pastaj ekipet e Forrenzikës, Inspektori i hetimit të zjarrit duhet të dalin në vendin e ngjarjes sepse sot nuk munden por nga nesër dhe të shihet se cilët janë shkaktarët e mundshëm që e kanë shkaktuar këtë zjarr”, ka thënë ai.
Mal Gashi komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, ka thënë se për momentin gjithçka është nën kontroll.
“Problematika që është në shuarjen e këtyre zjarreve është që mbindërtimet që janë në këto ndërtesat këtu mbrapa dhe aty ka kthina shumë dhe sigurisht edhe izolimi dhe materiale të ndryshme që është kriju temperaturë tepër e lartë. Megjithatë tash për momentin gjithçka është nën kontroll dhe jemi në përfundim e sipër të këtij zjarri”, ka thënë Gashi.
“Pesë zjarrfikës kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, jo që janë të mëdha por nga temperatura e lartë mund të shkaktojë edhe djegie edhe pse i ka pajisjet personale, por prapë se prapë mundet me ndikua se temperatura është shumë e lartë. Po shihet që ka vështirësi”, ka shtuar ai.





