Problemi i qenve endacakë vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët e Strugës. Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka deklaruar se komuna ka punuar për katër muaj në një projekt privato-publik që synon zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, por që nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme në Këshillin Komunal.
Sipas Qyrës, bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm që do të mundësonte grumbullimin dhe trajtimin e qenve endacakë në mënyrë moderne dhe efikase.
“Qentë endacakë janë një problem që të gjithë qytetarët e Strugës e dinë sa i dëmshëm është. Ne si komunë kemi punuar katër muaj për një projekt shumë të rëndësishëm privato-publik, i cili për fat të keq nuk kaloi në Këshillin e Komunës së Strugës. Ky është një projekt që e zgjidh problemin njëherë e përgjithmonë”, tha Qyra.
Ai theksoi se projekti është propozuar nga një mërgimtar nga diaspora dhe parashikon një qasje të sofistikuar për menaxhimin e qenve endacakë.
Qyra u bëri thirrje këshilltarëve komunalë që të reflektojnë dhe të mbështesin propozimin në votimet e ardhshme, duke shprehur shpresën se projekti do të marrë dritën jeshile për zbatim.
Njëkohësisht, ai ftoi edhe qytetarët që të ngritin zërin për zgjidhjen e këtij problemi, duke e cilësuar projektin si një mundësi reale për t’i dhënë fund një çështjeje që prej vitesh shqetëson banorët e Strugës./Ora24.tv





