Shtatasi i Maqedonisë pranoi vrasjen e 45 vjeçares greke, deklaroi se kishin zënka për gjendjen e banesës

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është i dyshuari kryesor dhe ka pranuar vrasjen e një gruaje 45-vjeçare, pronare e banesës ku ai jetonte si qiramarrës në afërsi të Hanjas, në ishullin grek të Kretës.

Gruaja ishte zhdukur më 30 maj, ndërsa trupi i saj u gjet mëngjesin e sotëm.

Bëhet fjalë për 45-vjeçaren S.L nga fshati Agia pranë Hanjas. Qiramarrësi i saj ishte personi i fundit që e kishte parë para se t’i humbiste çdo gjurmë para tri javësh.

Pikërisht për këtë arsye, ai që nga fillimi u vu në fokus të policisë dhe ishte thirrur për të dhënë dëshmi, por kishte mohuar çdo lidhje me zhdukjen e gruas.

Shtetasi maqedonas u arrestua të premten për posedim dhe kultivim droge, ndërsa gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor për rastin e gruas së zhdukur, gjatë natës ka pranuar vrasjen dhe u ka treguar policëve vendin ku e kishte varrosur trupin, i cili më pas u gjet.

Lidhur me motivin e krimit, ai dyshohet se ka deklaruar se me pronaren ishte zënë për shkak të gjendjes së banesës.

Sipas informacioneve zyrtare nga Athina, bëhet fjalë për 43-vjeçarin M.L., me pasaportë maqedonase, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Kretë dhe nuk ka precedentë penalë.

Ai jetonte prej disa vitesh në banesën e viktimës, ndërsa në deklaratat e para para policisë, menjëherë pas zhdukjes së saj, kishte thënë se më 30 maj pronarja kishte ardhur për të marrë paratë e qirasë dhe më pas ishte larguar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit