Në Europe House Tetovë u mbajt aktiviteti “Kafe me ambasadorë”, kushtuar temës “Paqja dhe siguria”, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Hungarisë, Sh.T. András Klein.
Në një atmosferë të hapur dhe interaktive, pjesëmarrësit diskutuan mbi kuptimin e gjerë të paqes dhe sigurisë, jo vetëm si mungesë e konfliktit, por edhe si mundësi për të jetuar në siguri, me barazi, respekt për identitetin dhe ndjenjë përkatësie. Përmes përvojës së Hungarisë, u trajtuan procese të rëndësishme historike, si tranzicioni demokratik dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian në vitin 2004.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Bashkimit Evropian në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me vendet fqinje, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Diskutimi theksoi gjithashtu BE-në si një projekt paqeje, i bazuar në institucione të përbashkëta, ndërlidhje ekonomike dhe bashkëpunim politik.
Në këtë kontekst u trajtuan edhe sfidat aktuale të sigurisë, si dhe rëndësia e veprimit të përbashkët evropian për përballimin e tyre. Duke pasur parasysh karakterin multietnik të Tetovës, një pjesë e debatit iu kushtua dialogut ndëretnik, ndërtimit të besimit dhe rolit të institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile në ruajtjen e paqes.
Gjatë diskutimit u theksua se siguria bashkëkohore përfshin edhe sigurinë energjetike, qëndrueshmërinë ekonomike, luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e besimit në institucione. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e integrimit evropian si faktor kyç për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.
Aktiviteti u përmbyll me një bisedë mbi perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe përfitimet konkrete që anëtarësimi në Bashkimin Evropian do t’i sillte qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi.
“Kafe me ambasadorë” është një seri debatesh që organizohen në të gjithë rrjetin e Europe House, me synimin për të nxitur dialogun e hapur ndërmjet ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe qytetarëve.






