Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistën për emisionin “Ku janë paratë”, theksoi se edhe pse gjatë këtyre dy viteve janë kthyer 4.6 miliardë euro borxhe të vjetra, megjithatë shteti po projekton zhvillim ekonomik, buxheti po mbushet sipas dinamikës së paraparë, ndërsa borxhi është ulur si përqindje e PBB-së dhe njëkohësisht është përballuar kriza më e madhe energjetike në historinë më të re.
– Në baza ditore komunikoj me institucionet që janë përgjegjëse për mbushjen e buxhetit, përfshirë edhe ministren e Financave. Kam një pasqyrë të qartë se çfarë po ndodh, si po ndodh dhe në çfarë gjendjeje jemi, si dhe çfarë gjendjeje duhej të korrigjonim që e trashëguam para dy vitesh kur u zgjodhëm si qeveri. Absolutisht të gjithë duhet të jenë të qetë, buxheti po mbushet sipas dinamikës së paraparë dhe do të mbushet sipas asaj dinamike, shtoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se gjatë këtyre dy viteve janë kthyer borxhe dhe është siguruar likuiditet prej afërsisht 4.6 miliardë eurosh, ndërsa i netuar borxhi është ulur kur shihet si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
– Kemi pasur shumë sfida dhe duke i pasur parasysh të gjitha ato sfida, përfshirë edhe, do të thoja, krizën më të madhe energjetike në historinë më të re të njerëzimit, jam i bindur se jemi përballur me sukses me të gjitha ato, sqaroi kryeministri Mickoski.
Ai shtoi se situata aktuale me buxhetin është shumë më e mirë krahasuar me vitet e mëparshme, pavarësisht faktit se po kthehet tatimi solidar i qeverisë së kaluar, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
– Deri më 15 qershor, realizimi i buxhetit është rreth 43%, sepse më datën 15 paguhen të gjitha tatimet personale, të gjitha deklarimet që lidhen me pagat dhe kështu me radhë, ndërsa më 25 paguhet TVSH-ja. Së dyti, nuk e shihni tatimin solidar të netuar, prej afërsisht një miliard e gjysmë deri në dy miliardë denarë, të cilin ne e kemi netuar me kompanitë, pra pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e kemi kthyer. Kur ta shtoni edhe tatimin solidartë netuar, arrijmë në një shifër mbi 44%.
Në gjysmëvjetorin e ardhshëm, përkatësisht nga muaji i shtatë deri në të dhjetin, ne do ta arkëtojmë tatimin tremujor mbi vlerën e shtuar, ndërsa në gjysmën e parë të vitit e arkëtojmë vetëm në prill. Dhe në fund vijmë në dhjetor, kur zakonisht paguhen të gjitha tatimet, bonuset, dividendët e kështu me radhë, dhe atëherë sipas rregullit grumbullimi i të ardhurave tatimore është më i larti. Prandaj kjo gjendje aspak nuk më shqetëson, përkundrazi është shumë më e mirë se sa ishte në vitet e kaluara, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se histeri po krijojnë persona të afërt me LSDM-në dhe politikanë që e sollën shtetin në një gjendje të vështirë, të cilët tani po shohin se si kjo qeveri arriti të përballet me krizën dhe të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me naftë dhe derivate të naftës jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë, por edhe për qytetarët e vendeve fqinje.
– Histeria që reflektojnë në opinion disa analistë të afërt me LSDM-në dhe disa politikanë që e sollën Maqedoninë në këtë gjendje, të cilët më herët kishin lidhje me ekonominë dhe financat, nuk më shqetëson, përkundrazi më inkurajon, sepse ajo histeri është tipike për njerëz që e kanë humbur terrenin nën këmbë, janë në panik dhe po shohin se, pavarësisht të gjitha krizave, ne si shtet arritëm, pa dëshpërim dhe pa konferenca për shtyp nën panik siç ndodhte në vendet fqinje, të përballemi në mënyrë të qetë dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm të qytetarëve dhe biznesit me naftë dhe derivate të naftës, si dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm edhe për qytetarët e vendeve fqinje.
Dhe në fund të vij te thelbi i asaj që dua të them, duke pasur parasysh gjithçka që ndërmorëm në fillim, uljen e TVSH-së, më pas uljen e akcizës, dhe duke i pasur këto të hyra buxhetore, ky është një sukses i madh, potencoi kryeministri Mickoski.





