Tifozët anglezë shkelin rregullat e FIFA-s

Disa tifozë të Anglisë rrezikojnë ndëshkim pasi shkelën rregullat e FIFA-s gjatë fitores 4-2 të “Tre Luanëve” ndaj Kroacisë në Botërorin 2026.

Skuadra e Thomas Tuchel e nisi në mënyrë të shkëlqyer kampanjën në Grupin L, duke mposhtur finalistët e vitit 2018 në një ndeshje emocionuese në Dallas. Rreth 15 mijë tifozë anglezë ishin të pranishëm në stadium për ta mbështetur kombëtaren e tyre.

Harry Kane hapi rezultatin nga penalltia në minutën e 12-të, pasi iu dha mundësia ta përsëriste goditjen. Tentativa e parë e tij u prit nga Dominik Livakoviq, por portieri kroat u vlerësua se kishte dalë nga vija para ekzekutimit. Kane nuk gaboi në tentativën e dytë.

Kroacia barazoi me Martin Baturinën në minutën e 36-të, por Kane riktheu epërsinë me kokë pas një harkimi nga Declan Rice. Në fund të pjesës së parë, Petar Musa shënoi për 2-2.Anglia reagoi menjëherë pas pushimit, kur Jude Bellingham realizoi për 3-2 në minutën e 47-të, ndërsa Marcus Rashford vulosi fitoren me golin e katërt pesë minuta para fundit.

Megjithatë, paraqitja pozitive e Anglisë u zbeh disi nga sjellja e një grupi të vogël tifozësh, të cilët kënduan një thirrje fyese me përmbajtje politike kundër kryeministrit britanik Keir Starmer.

Sipas rregullave të FIFA-s për stadiumet, tifozëve u ndalohet të përdorin pankarta, flamuj, veshje apo materiale të tjera me përmbajtje politike, fyese ose diskriminuese. Po ashtu, ndalohet edhe përdorimi i gjuhës fyese apo thirrjeve me karakter politik gjatë ndeshjeve.

Rregullat parashohin gjithashtu kufizime për madhësinë e flamujve, ndërsa tifozëve u kërkohet të dërgojnë paraprakisht fotografi për miratim nëse flamuri është më i madh se 2 me 1.5 metra.

Dënimet për shkelje të tilla mund të përfshijnë largimin nga stadiumi. Një zëdhënës i Federatës Angleze deklaroi për The Sun se tifozët janë këshilluar se FIFA mund të ndalojë hyrjen e flamujve me përmbajtje të ndjeshme ose politike në stadiume.

Anglia do të rikthehet në fushë më 23 qershor kundër Ganës, ndërsa fazën e grupeve do ta mbyllë më 27 qershor ndaj Panamasë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit