Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve të disa rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke e cilësuar këtë si “ditë të zezë për shqiptarët”, raporton Zyrtare.
Sipas Osmanit, vendimi për anulimin e emërtimeve si “Iliria” dhe rikthimin e emrave të vjetër, përfshirë “Marshal Tito”, përbën një goditje ndaj identitetit shqiptar dhe një hap prapa për vendin.
“Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin për emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke rikthyer emrin ‘Marshal Tito’ në vend të sheshit ‘Iliria’. Një tjetër goditje ndaj identitetit shqiptar. Një tjetër plagë mbi të ardhmen e përbashkët. Një tjetër hap prapa për këtë vend”, ka shkruar Osmani.
Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe koalicionit VLEN, duke thënë se rikthimi i emrit “Tito” në Tetovë ka ndodhur gjatë qeverisjes së tyre.
“Në fund, Bilall Kasami duhet të jetë i lumtur. Dikur shkruante poezi për Titon. Sot, Tito u kthye në Tetovë gjatë qeverisjes së tij dhe VLEN-it. Shqiptarët nuk do ta harrojnë”, ka deklaruar Osmani në reagimin e tij.





