Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i kinematografisë shqiptare, Gjergji Lala.
Aktori ndërroi jetë në një spital në Itali, pas një sëmundjeje prej të cilës vuante prej kohësh.
Publiku e kujton Gjergji Lalën veçanërisht për rolin e Mihal Gramenos, në krah të Timo Fllokos, te filmi “Liri a Vdekje” i regjisorëve Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj (1979), në filmin “Kush vdes në Këmbë” (1985), “Lumi që nuk shteron”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Dy krisma në Paris” etj.
Gjergji Lala lindi në Lushnjë në vitin 1947. Luajti shumë role në teatër dhe kinematografi. Prej vitesh jetonte në Itali, ku edhe u aktivizua vazhdimisht në filma dhe telefilma. Vlen të përmendet dhe pjesëmarrja e tij në filmin e regjisorit Ridley Scott, “House of Gucci”, krahas emrave si Al Pacino e Adam Driver. Filmi i fundit ku dha kontributin e tij ishte “Palazzina Laf”, i vitit 2023.





