Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita thotë se deputetja Marjana Koçeku nuk ka bërë asnjë kallëzim në polici, i pyetur pas mesazhit të saj në rrjetet sociale kundrejt grupit kriminal të Bajrave. ”Policia është në mbrojtje të jetës të cdo personi. Është detyrim ligjor të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve. Në bazë të kërcënimit dhe rrezikut, do bëhet edhe vlerësimi i mbrojtjes. Por denoncim konkret nuk ka në polici”, tha Hita në një deklaratë për Report Tv.Pas statusit publik të deputetes Marjana Koçeku, avokati i familjes Bajri, tha se deklarata e saj është e pabazuar në prova dhe se është një sulm ndaj reputacionit të personave që ajo i referohet.Nga ana tjetër, këtë të mërkurë Koçeku mungoi në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, por deklarata e saj drejtuar grupit kriminal të Bajrave është bërë çështje diskutimi. Ishte deputetja e PD, Albana Vokshi e cila ngriti pyetjen se çfarë garancie kanë qytetarët e thjeshtë kur krimi i organizuar kërcënon një deputete.
Reagimi i Koçekut ndaj grupit të Bajrave vjen pas largimit të saj nga grupi i PS-së, ndërsa në rrjet është kritikuar dhe i është kërkuar që të lërë mandatin e deputetes, të cilin e fitoi pasi ishte pjesë e listës së mbyllur të socialistëve në Shkodër. Opozita ka folur, pasi Sali Berisha thotë se Koçeku është kërcënuar nga Rama pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.





