Mbi 300 padi kundër Spitalit të Kumanovës, personeli kërkon pagesat e papaguara

Personeli mjekësor ka ngritur mbi 300 padi kundër Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës. Përmes tyre, të punësuarit kërkojnë pagesën e shtesave të papaguara për kujdestaritë, kompensimin për ushqim dhe punën me turne, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.

Paditë aktive i referohen periudhës deri në tetor të vitit 2023, kur punonjësve, shumica prej të cilëve infermierë dhe personel ndihmës, nuk u janë paguar kompensimet që u takojnë sipas Marrëveshjes Kolektive.

Probleme ka edhe me një pjesë të mjekëve.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, Sasho Stoshevski, tha se paditë aktive, të cilat numërohen me qindra, kanë të bëjnë me periudhën 2020–2023.

“Me to zakonisht kërkohen kompensime për punën të dielave, shtesa për ushqim dhe punën me turne. Që kur jam drejtor nuk kemi asnjë padi të re dhe e respektojmë Marrëveshjen Kolektive. Megjithatë, për fundjavat, festat dhe të dielat deri në vitin 2023 ka shumë padi aktive për të cilat presim vendime përfundimtare. Të gjitha aktgjykimet e deritanishme në favor të të punësuarve janë paguar plotësisht”, tha Stoshevski.

Ai shtoi se gjithçka që do të vendoset me gjykatë në favor të punonjësve do të paguhet.

Spitali i Kumanovës po përballet me mungesë personeli në disa specialitete, për të cilat ka raportuar edhe Portalb.mk.

Së fundmi, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, u bëri thirrje drejtorëve të institucioneve shëndetësore të respektojnë detyrimet nga marrëveshjet kolektive, me qëllim që spitalet të lirohen nga barrat e shpenzimeve gjyqësore.

Deri në dhjetor të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 1.822 padi nga të punësuar në 62 nga 108 institucionet publike shëndetësore në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit