Mexhiti: VLEN-i u konfirmua si forca kryesore politike te shqiptarët, na mandatuan për t’i përfaqësuar me dinjitet

 

 

Dy vjet më parë, shumëkush nuk besonte se kjo mund të ndodhte. Dy vjet më parë, askush nuk fliste e as që i bëhej vonë për zhvillim, sepse shteti ishte kapur nga oligarkët e klasa politike ishte zhytur thellë në korrupsion. Sot, ndryshimet janë të dukshme. Këtë e tha bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti gjatë fjalës së tij në Kuvendin themelues të partisë duke shtuar se si çdo ndryshim, edhe rotacioni politik nuk mund të kalonte pa shumë lëkundje e tensione pikërisht, sepse një klase politike të cilës i ka skaduar afati u ndje e cënuar nga humbja e pushtetit.

 

“Sot ne jemi të përqendruar të merremi me investime dhe zhvillim në çdo anë ku jetojnë shqiptarët. Prandaj, edhe në zgjedhjet lokale, shqiptarët e vlerësuan punën tonë dhe na besuan drejtimin e shumicës së komunave shqiptare, duke e konfirmuar VLEN-in si forcën kryesore politike te shqiptarët”, tha Mexhiti.

 

Na votuan jo për më shumë pushtet, por për më shumë përgjegjësi, për më shumë efikasitet, tha ai.

 

Këto dy vjet të VLEN-it në qeveri, shtoi ai, dëshmuam se kur shqiptarët janë të bashkuar, kur përfaqësohen me dinjitet dhe kur punojnë me përgjegjësi, rezultatet janë të prekshme dhe shqiptarët marrin hisen reale që u takon nga buxheti i shtetit.

 

“Dhe, PO, ne jemi në shërbim të qytetarëve. Në shërbim të shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë arsye kemi këto rezultate. Pikërisht për këtë arsye, kemi sjellë investime që për vite me radhë kanë munguar në vendbanimet shqiptare. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, sepse besimi i qytetarëve fitohet me vepra dhe ruhet me përgjegjësi”, ka thënë Mexhiti.

 

Prandaj, VLEN, theksoi ai, do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar që kërkon barazi, zhvillim dhe drejtësi.

 

“Ne jemi këtu, sepse shqiptarët na kanë mandatuar për t’i përfaqësuar me dinjitet. Ne jemi këtu sepse jemi të vendosur që të punojmë për të ndërtuar një shtet inkluziv, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Dhe këtë jemi të vendosur që ta arrijmë jo me marrëveshje tinzare, jo me pazare prapa kuintave, jo me takime kafeneshë në orët e vona të mbrëmjes, por në institucione, me debate e argumente, duke u bazuar në fakte dhe nevojat reale tuajat”, ka thënë Mexhiti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit