Replek hyn në tregun britanik – Ambasadori Matthew Lawson viziton kompaninë pas suksesit të ri ndërkombëtar

SHKUP, 16 qershor 2026 – Pas depërtimit të suksesshëm në tregun britanik, kompania farmaceutike Replek priti sot në një vizitë pune ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Matthew Lawson, i cili u njoh nga afër me kapacitetet prodhuese, planet zhvillimore dhe aktivitetet eksportuese të kompanisë.

Gjatë vizitës, drejtoria e Replek, e udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm Dushan Pecovski, prezantoi zhvillimin e kompanisë gjatë tetë dekadave të fundit, investimet aktuale në prodhim dhe strategjinë për zgjerimin e pranisë në tregjet ndërkombëtare me standarde të larta rregullative.

Vëmendje e veçantë iu kushtua hyrjes së Replek në tregun britanik, pasi Agjencia Britanike për Barna dhe Produkte Shëndetësore (MHRA) miratoi produktin “Rekonazol (ketoconazole) 2% shampoo”, produkti i parë i kompanisë i regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Në prill të këtij viti u realizua edhe eksporti i parë i këtij produkti në tregun britanik.

Drejtori i përgjithshëm Dushan Pecovski theksoi se tregu britanik përfaqëson një nga referencat më të rëndësishme për çdo prodhues farmaceutik dhe se ky sukses është dëshmi e cilësisë së produkteve dhe standardeve të larta që zbaton kompania.

Ambasadori Lawson vizitoi gjithashtu repartet prodhuese të Replek, ku u informua për zgjidhjet moderne teknologjike, standardet e cilësisë dhe sigurisë, si dhe investimet e vazhdueshme në modernizimin e prodhimit.

Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe forcimin e mëtejshëm të pranisë së produkteve të Replek në tregun britanik.

Replek së fundmi për herë të pestë fitoi certifikatën EU GMP, duke konfirmuar përputhshmërinë me standardet më të larta evropiane të prodhimit farmaceutik. Produktet e kompanisë janë të pranishme në më shumë se 25 tregje në botë, ndërsa eksporti mbetet një nga shtyllat kryesore të rritjes së saj.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit