Ia fotografon kartelën pacientit dhe ia harxhon mbi 90 mijë denarë

Një punonjës administrativ në ISHP Spitali i Përgjithshëm i Prilepit dyshohet se ka fotografuar kartelën debitore të pagesës të një banori të Prilepit, e më pas me të dhënat e saj ka kryer dhjetëra transaksione në internet, me çka ka shpenzuar në mënyrë të paligjshme mbi 90.000 denarë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se SPB Manastir ka dorëzuar kallëzim penal kundër I.S. (40) nga Prilepi, për shkak të ekzistimit të dëshmive për dyshim të bazuar për veprat penale “dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale”.

​Sipas denoncimit, më 13 tetor 2025, i dyshuari, i cili punonte si nëpunës administrativ në sportelin e pagesave në spitalin e Prilepit, ka fotografuar kartelën debitore të pagesës të një personi nga Prilepi.

​Më pas, në periudhën nga 26 tetori 2025 deri më 19 shkurt 2026, duke shfrytëzuar të dhënat e kartelës, ai ka kryer gjithsej 71 transaksione përmes internetit, duke shkaktuar një dëm në vlerë prej 90.174 denarë.

​Kundër banorit të Prilepit është ngritur kallëzim penal, ndërsa institucionet kompetente do të veprojnë më tej për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit