Mickoski: Autori i incidentit me automjetet diplomatike është ndaluar, po hetohen motivet

“Këndvështrimi im është i njëjtë me atë të Qeverisë. Ne e dënojmë fuqishëm këtë ngjarje penalo-juridike. Ajo që mund të them është se personi që e ka kryer këtë vepër është siguruar dhe aktualisht po merret në pyetje për të përcaktuar motivet dhe rrethanat që kanë çuar në ndodhjen e këtij incidenti gjatë ditës. Duhet të shohim se çfarë e ka nxitur këtë person të bëjë atë që bëri”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në emisionin qendror informativ të ALSAT-M.
I pyetur nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar, Mickoski tha se do të përmbahej nga komente shtesë, duke shtuar se personi e ka pranuar veprën, ndërsa organet kompetente po zhvillojnë hetime dhe marrje në pyetje. Ai pret që nga ky proces të dalin më shumë informacione që do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve.
Lidhur me atë nëse ka pasur komunikim me institucionet bullgare për incidentin, Mickoski tha:
“Ministria e Punëve të Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm. Ministri më informoi se ka biseduar me homologen e tij. Nga ana jonë qëndrimi është i qartë – ne e dënojmë fuqishëm këtë akt. Personin e siguruam për më pak se tre orë dhe edhe një herë treguam se institucionet funksionojnë në mënyrë të përkryer. Tani mbetet të shohim cilat janë motivet e kësaj ngjarjeje penalo-juridike.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit