Pas aksidentit fatal, Qyra apelon për më shumë kujdes në komunikacion

STRUGË – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për humbjen tragjike të Elmedinës, e cila humbi jetën në një aksident të rëndë komunikacioni.
Në një letër ngushëllimi, Qyra thekson se lajmi për vdekjen e parakohshme të vajzës së re e ka prekur thellë, duke e cilësuar atë si një humbje të madhe për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik që i mori jetën para kohe Elmedinës, një vajze në lulen e rinisë, me ëndrra, shpresa dhe një të ardhme përpara saj”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit, Qyra bëri thirrje edhe për më shumë përgjegjësi në komunikacion, duke theksuar se respektimi i rregullave të trafikut është detyrim i secilit pjesëmarrës në rrugë.
“Asnjë destinacion nuk është më i rëndësishëm se një jetë njerëzore”, theksoi ai, duke apeluar për kujdes më të madh në mënyrë që të shmangen tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Kryetari i Komunës së Strugës përfundoi mesazhin e tij me lutjen që Elmedina të prehet në paqe dhe kujtimi për të të mbetet i përjetshëm.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit