Kuvendi i tha po ligjit për bixhozin: Kazinotë 500 metra larg shkollave, bastoret mbeten të ‘paprekura’

Me 59 vota ‘për’ dhe 9 ‘kundër’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e kaluan në lexim të parë Propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilat parashikohet që kazinotë të largohen së paku 500 metra larg shkollave, por kjo nuk vlen për bastoret. Për pushtetin kjo është një arritje e madhe, ndërsa për opozitën ligji duhet të jetë më rigoroz. Antibixhozi kërkon mbyllje të plotë të lojërave të fatit, shkruan Portalb.mk.

Në seancën plenare të mbajtur më 11 qershor 2026, deputetët e Kuvendit të RMV-së i dhanë dritë jeshile propozim-ligjit për lojërat e fatit, konkretisht ligji kaloi leximin e parë.

“Arritje” e madhe për pushtetin

Menjëherë pas kësaj, deputetët nga pozita u filluan të lavdërohen për këtë arritje.

“Në seancën 104 të Kuvendit u miratua Ligji për lojërat e fatit me 59 vota pro dhe 9 kundër. Sipas ndryshimeve, kazinot nuk do të lejohen pranë shkollave (minimum 500 metra) dhe ndalohet reklamimi i tyre, sidomos ai që e paraqet bixhozin si rrugë drejt suksesit. Gjithashtu, vendoset kontroll më i rreptë përmes GPS në aparate, kufizohen licencat dhe rriten tarifat financiare dhe garancitë bankare. Ligji përfshin edhe standardet e MONEYVAL për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, shkroi deputetja e VLEN, Valbona Adili Emini.

Me reagim të ngjashëm doli edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

“Kuvendi i dha dritën jeshile, duke e mbështetur propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilin kazinotë nuk do të lejohen të jenë në një distancë prej 500 metrash nga shkollat, ndalohet reklamimi në vitrinat e lokaleve të lojërave të fatit, ndalohet reklamimi që e paraqet kumarin si mënyrë për arritjen e suksesit personal, çdo aparat duhet të ketë detyrimisht sistem lokacioni (GPS) për kontroll të vazhdueshëm nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), licencat nuk do të mund të shumëfishohen, vendosen detyrime financiare për hapjen e pikave të reja të pagesës dhe pagesës së fitimeve, rriten shumat e garancive bankare dhe zbatohet rekomandimi i MONEYVAL-it (Këshilli i Evropës) si standard në luftën për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, shkroi Milloshoski.

Për opozitën ligji duhet të jetë më rigoroz

Në një deklaratë për Portalb.mk, deputeti i LSDM-së opozitare, Fatmir Bytyqi tha se pasi ligji kaloi në lexim të parë, tani është koha për amandamente.

“Mendoj se ligji duhet të jetë akoma më rigoroz dhe më i drejtë në disa aspekte: lokacioni i kazinove duhet të jetë jashtë zonave urbane, ndarja e parave na lojërat e fatit duhet të jetë shumë më transparente dhe jo në mënyrën që është paraparë tani në ligj, reklamimi duhet të jetë plotësisht i ndaluar dhe jo pjesërisht e posaçërisht reklamimi në sport te kategoritë e moshave të reja, gjë që e bën problematike gjithë situatën”, tha Bytyqi.

Kërkuam qëndrim edhe nga deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, por deri në publikimin e këtij teksti, deputetja nuk u përgjigj në kërkesën për deklaratë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit