Në kontrollet më të fundit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të Maqedonisë së Veriut janë konstatuar parregullsi te një pjesë e produkteve të qumështit dhe mishit në treg, me ç’rast te disa mostra është zbuluar përbërje e papërshtatshme në raport me atë që ishte deklaruar, përcjell INA.
Siç deklaroi Svetlana Kolariq nga AUV për TV Telma, gjatë muajit mars janë zbatuar inspektime të përforcuara në rrjetin e shitjes me pakicë në Shkup.
“Inspektorët kanë marrë 91 mostra – 45 produkte qumështi dhe 46 produkte suxhuku e mishi të tharë. Analizat kanë treguar prani të yndyrave bimore në një pjesë të produkteve të qumështit, edhe pse ato nuk guxojnë të përdoren në produkte si qumështi, djathi, kaçkavalli, ajka (shllagu) dhe gjalpi. Devijime edhe më serioze nga standardet janë konstatuar gjithashtu te produktet e mishit”, theksoi ajo.
Nga AUV paralajmërojnë se në periudhën e ardhshme do të publikohen emrat e prodhuesve dhe operatorëve te të cilët janë konfirmuar parregullsi, pasi të përpunohen të gjitha të dhënat. Kolariq theksoi se qëllimi i Agjencisë është mbrojtja e konsumatorëve dhe se deri më tani janë ndërmarrë disa aksione për largimin e ushqimit të pasigurt nga tregu. (INA)





