STRUGË – Problemi shumëvjeçar i deponisë së Strugës nuk mund të zgjidhet nga një institucion i vetëm, por kërkon angazhim të përbashkët të të gjitha palëve relevante. Kjo ishte porosia kryesore e kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, gjatë diskutimit publik “Nga një deponi e egër drejt një zgjidhjeje evropiane – zgjidhje për Strugën”.
Qyra theksoi se deponia mbetet një nga sfidat më serioze mjedisore dhe shëndetësore për qytetin, duke apeluar për bashkëpunim më të madh mes pushtetit lokal dhe qendror, sektorit civil, partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve.
“Nuk mund ta zgjidh i vetëm këtë problem, por do të jap maksimumin tim. Duhet që të gjithë së bashku të flasim edhe më fort për këtë sfidë dhe të kërkojmë zgjidhje konkrete”, deklaroi ai.
Nga Komuna e Strugës theksuan se mbeten të përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që synojnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për menaxhimin e mbeturinave.
Në diskutim u nënvizua nevoja për vendosjen e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave, mbylljen dhe sanimin e deponive ekzistuese, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për trajtimin e përgjegjshëm të mbeturinave.
Pjesëmarrësit vlerësuan se vetëm përmes partneritetit, dialogut dhe veprimit të përbashkët mund të arrihet qëllimi për një Strugë më të pastër dhe më të shëndetshme.





