Gjysma e hipotekave në Shkup, 2.472 kredi për vetëm tre muaj

Kryeqyteti vazhdon të dominojë tregun e pasurive të paluajtshme. Nga gjithsej 2.472 hipoteka të regjistruara në nivel vendi, 1.318 janë regjistruar në Shkup, ndërsa 1.154 në të gjitha qendrat e tjera rajonale të Kadastrës. Kjo do të thotë se 53.3 për qind e të gjitha hipotekave të reja në vend lidhen me prona të paluajtshme në Shkup

Anëmsha SHABANI

Shkup, 3 qershor – Tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të mbetet aktiv, edhe pse të dhënat e fundit tregojnë një ngadalësim të ritmit të blerjeve dhe financimit të banesave. Agjencia e Kadastrit të Patundshmërive tregon se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë regjistruar 2.472 hipoteka, që do të thotë se mesatarisht janë regjistruar rreth 27 kredi hipotekare në ditë.

Të dhënat tregojnë se aktiviteti më i madh është regjistruar në muajin mars, kur janë evidentuar 1.004 hipoteka. Në janar numri i tyre ishte 619, ndërsa në shkurt 849, duke reflektuar një rritje graduale të interesit gjatë tremujorit.

MË SHUMË SE GJYSMA E HIPOTEKAVE NË KRYEQYTET

Kryeqyteti vazhdon të dominojë tregun e pasurive të paluajtshme. Nga gjithsej 2.472 hipoteka të regjistruara në nivel vendi, 1.318 janë regjistruar në Shkup, ndërsa 1.154 në të gjitha qendrat e tjera rajonale të Kadastrës. Kjo do të thotë se 53.3 për qind e të gjitha hipotekave të reja në vend lidhen me prona të paluajtshme në Shkup.

Vlera e hipotekave të regjistruara në Shkup ka tejkaluar 125.7 milionë euro, duke konfirmuar se kryeqyteti mbetet qendra kryesore e investimeve në tregun e banesave. Nëse kjo shumë ndahet me numrin e hipotekave të regjistruara, rezulton se vlera mesatare e një hipoteke në Shkup është afërsisht 95 mijë euro.

RËNIE KRAHASUAR ME VITIN E KALUAR

Megjithëse tregu mbetet aktiv, statistikat tregojnë një rënie të lehtë të numrit të hipotekave krahasuar me vitin e kaluar. Në tremujorin e parë të vitit 2025 ishin regjistruar 2.596 hipoteka, ose 124 më shumë se këtë vit. Në terma përqindjeje, kjo paraqet një ulje prej rreth 4.8 për qind. Rënia bëhet edhe më e dukshme kur krahasimi bëhet me tremujorin e fundit të vitit 2025. Në periudhën tetor-dhjetor të vitit të kaluar ishin regjistruar 3.060 hipoteka, që do të thotë se në tre muajt e parë të këtij viti numri i tyre është zvogëluar për 588 ose rreth 19.2 për qind.

Nga ana tjetër, sinjale të ngjashme japin edhe të dhënat për shitjen e banesave të reja. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 në Regjistrin e Çmimeve dhe Qirave janë regjistruar 712 banesa të ndërtuara rishtas të shitura drejtpërdrejt nga investitorët. Krahasuar me tremujorin paraprak, kur ishin regjistruar 1.004 banesa të shitura, numri ka rënë për 292 njësi, ose gati 29 për qind.

Rënia e shitjeve të banesave të reja mund të interpretohet si një tregues se gjithnjë e më shumë blerës po përballen me vështirësi për të përballuar çmimet aktuale të tregut, të cilat gjatë viteve të fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme.

NDËRTIMI VAZHDON ME RITËM TË LARTË

Ndërkohë, sektori i ndërtimit nuk po jep shenja ngadalësimi. Sipas të dhënave të Kadastrës, deri tani janë regjistruar 28.013 fletë pararegjistrimi ndërtimi, që nënkupton se mijëra objekte ndodhen në faza të ndryshme ndërtimi dhe pritet të dalin në treg në periudhën e ardhshme.

Kjo tregon se oferta e banesave do të vazhdojë të rritet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ritmi i hyrjes së banesave të reja në treg do të jetë i mjaftueshëm për të ushtruar presion mbi çmimet, të cilat prej vitesh po mbeten në nivele të larta. Ndërkaq, kreditë për banim vazhdojnë të jenë ndër segmentet me rritjen më të shpejtë në portofolat e bankave, duke dëshmuar se një pjesë e konsiderueshme e blerjeve të pasurive të paluajtshme vazhdon të financohet përmes huamarrjes.

Ndryshe, edhe pse numri i hipotekave të regjistruara rishtazi është në rënie, fakti që në vetëm tre muaj janë regjistruar 2.472 hipoteka dhe se mbi gjysma e tyre ndodhen në Shkup tregon se tregu i banesave mbetet aktiv. Megjithatë, ngadalësimi i shitjeve të banesave të reja dhe rënia e numrit të hipotekave sugjerojnë se çmimet e larta dhe kostot e financimit po ndikojnë gjithnjë e më shumë në vendimet e blerësve. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit