Struga u bë pjesë e një udhëtimi të veçantë ndërkombëtar që lidh kulturën, historinë dhe popujt përgjatë rrugës së lashtë Via Egnatia.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, priti në takim çiklistin italian Adriano Tegas, i cili po udhëton i vetëm nga Roma drejt Stambollit, duke ndjekur itinerarin e njërës prej rrugëve më të rëndësishme historike të Evropës.
Vizita e Tegas në Strugë u realizua në kuadër të iniciativës “La Colonna della Civiltà”, një projekt që synon të promovojë trashëgiminë kulturore dhe historike të vendeve që përshkon Via Egnatia. Gjatë qëndrimit në qytet, në pergamenat artistike që shoqërojnë udhëtimin e tij u vendos edhe vula zyrtare e Komunës së Strugës, si simbol i rolit dhe rëndësisë që qyteti ka pasur ndër shekuj përgjatë kësaj rruge të lashtë.
Me këtë rast, kryetari Qyra i uroi çiklistit italian një rrugëtim të suksesshëm deri në destinacionin e tij final dhe theksoi se Struga mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar, promovimin e kulturës dhe ruajtjen e trashëgimisë historike.
Takime të tilla, sipas tij, janë dëshmi se Struga vazhdon të afirmohet si një qytet i kulturës, historisë dhe urave të bashkëpunimit mes popujve.






