Komuna e Mogillës po realizon një cikël të rëndësishëm investimesh me vlerë rreth 700 mijë euro, që përfshin ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve, si dhe projekte sportive dhe zhvillimore.
Gjatë vizitës në komunë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se projektet financohen nga buxheti komunal, buxheti shtetëror dhe programet e Banka Botërore.
Sipas tij, tashmë është përfunduar rruga “Goce Dellçev”, së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës “Pelagonia”, ndërsa po punohet edhe në rrugën “ASNOM”. Në kuadër të të njëjtit program janë përfunduar edhe rruga “Shemnica” në Mogillë dhe një rrugë në fshatin Trnovci.
“Bëhet fjalë për investime në vlerë totale prej 700 mijë eurosh. Jam i kënaqur që projektet po realizohen me ritëm të mirë dhe se do të sjellin përfitime të mëdha për qytetarët”, tha Nikolloski.
Ai theksoi gjithashtu se në funksion është vendosur një kompleks sportiv, ndërsa në ditët në vijim pritet të inaugurohet edhe fusha e re e futbollit, e cila është donacion nga Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Nga Komuna e Mogillës vlerësojnë se këto investime do të përmirësojnë kushtet e jetesës së banorëve dhe do të kontribuojnë në zhvillimin lokal të komunës.





