Kolona me kilometra, dhjetëra autobusë turistikë, vonesa dhe pritje me orë të tëra për hyrje në Greqi është situata sot paradite në vendkalimin kufitar Evzoni/Bogorodicë, sipas mediave në Selanik, të cilat shkruajnë se turistët po përballen me shqetësime dhe vonesa për shkak të kontrolleve biometrike, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Sot në mëngjes, sipas mediave, pritja për automobilat me udhëtarë ishte rreth dy orë, ndërsa për autobusët me turistë madje edhe më shumë se pesë orë, duke shkaktuar “shqetësime dhe lodhje të mëdha te shoferët dhe udhëtarët të cilët po bëjnë përpjekje ta kalojnë kufirin drejt Greqisë”.
“Fotografia e tregon qartë situatën. Kolona të pafundme automjetesh, shoferë që dalin nga makinat e tyre, duke kërkuar hije dhe freski, familje me fëmijë të vegjël që presin me durim nën diellin e nxehtë dhe dhjetëra autobusë, duke qëndruar të palëvizshëm për orë të tëra. Pavarësisht shqetësimit të madh, klima mbetet e qetë për momentin dhe nuk janë vërejtur tensione serioze. Megjithatë, pakënaqësia është e dukshme. Shumë udhëtarë shprehin zhgënjimin e tyre me pamjen që gjejnë në hyrje të vendit, dhe disa madje thonë në mënyrë karakteristike se “nuk do të vijnë më në Greqi”, duke e konsideruar të papranueshme që pushimet e tyre të fillojnë me orë të tëra pritjeje në kufi, shkruan portali informativ i Selanikut “Tes”.
Për shkak të vonesës së madhe, pritjeve të gjata dhe numrit të madh të autobusëve, siç shkruan radio Selaniku në sajtin e tyre, ishte dhënë urdhër që të zbatohet sistemi i vjetër për kontroll të udhëtarëve nga autobusët me turistë, me qëllim që të normalizohet situata.
Portali i Selanikut “Voria” komenton se “vonesat drejtpërdrejtë kanë lidhje me zbatimin e sistemit të ri për hyrje dhe dalje në BE (EES) që parasheh regjistrim elektronik dhe biometrik të shtetasve të vendeve të treta”.
Të enjten, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Greqisë përgjegjës për rajonet e Maqedonisë dhe Trakisë, Konstantinos Goulekas, zhvilloi takim mbi situatën në pikat kufitare Kipi dhe Evzoni pas zbatimit të sistemit EES, në të cilin u diskutuan masat për të lehtësuar qarkullimin e udhëtarëve dhe automjeteve.
Theksi u vu në mundësinë e forcimit të mëtejshëm të sistemeve të informacionit për zbatimin më të shpejtë të kontrolleve, si dhe në ndërtimin e mundshëm të zgjidhjeve të përkohshme teknike për të lehtësuar qarkullimin e udhëtarëve dhe automjeteve.
Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Mihalis Hhrisooidis, tha gjithashtu të enjten nga Halkidiki se ata duhet të zbatojnë legjislacionin evropian, pasi Komisioni Evropian këmbëngul në zbatimin e plotë, dhe theksoi se ai kishte “marrë ankesa nga kolegët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia” në lidhje me sistemin EES.
Sqaroi se çështja me regjistrimin biometrik në kufijtë ka dy aspekte, njëri është vetë procesi, ndërsa tjetri, infrastruktura e vjetërsuar greke.





