SHBA godet sërish Iranin, sulmon një nga qendrat kryesore të operacioneve iraniane në rajonin e Gjirit Persik

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, tha një zyrtar amerikan, ndërsa negociatat janë duke u zhvilluar për t’i dhënë fund luftës tremujore në Lindjen e Mesme.

Sulmet kishin në shënjestër një strukturë ushtarake që shihej si një kërcënim për forcat amerikane dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për Reuters, tha se forcat amerikane kishin kapur dhe rrëzuar disa dronë iranianë që shiheshin si kërcënim për njësitë ushtarake dhe anijet tregtare në zonë.

Irani kishte lëshuar katër dronë sulmi me një shënjestër të vetme drejt anijeve amerikane dhe tregtare më herët gjatë ditës, thanë dy zyrtarë amerikanë. Avionët luftarakë amerikanë F/A-18 Hornet, F-16 Fighting Falcon dhe F-35 Lightning II qëlluan dronët, ndërsa avionët amerikanë F/A-18 goditën më pas një stacion kontrolli dronësh pranë qytetit Bandar Abbas përpara se të mund të lëshonin një dron të pestë.

Zyrtarët amerikanë thanë se operacionet ishin të kufizuara dhe mbrojtëse në natyrë dhe nuk përbënin një përshkallëzim që mund të rrëzonte armëpushimin e brishtë. Sipas të njëjtit informacion, nuk pati viktima gjatë incidenteve.

Më parë, agjencia iraniane e lajmeve Fars kishte raportuar se tre shpërthime u dëgjuan në lindje të qytetit portual Bandar Abbas rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas kohës lokale. Sipas raportit, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për disa minuta, ndërsa autoritetet iraniane nisën një hetim për të përcaktuar origjinën e shpërthimeve.

Bandar Abbas është kryeqyteti i provincës Hormuzgan dhe konsiderohet si një nga qendrat kryesore të operacioneve të Iranit në rajonin e Gjirit.

Më herët këtë javë, media iraniane raportoi gjithashtu shpërthime në zonë, duke përmendur shkëmbime zjarri me ushtrinë amerikane. Teherani akuzoi Uashingtonin për shkelje të armëpushimit në fuqi që nga fillimi i prillit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit