Në seancën e hapur të Këshillit Programor të RTM, ku përfaqësues të komunitetit mediatik dhe institucioneve diskutuan për të ardhmen e servisit publik, prioritetet e tij zhvillimore dhe nevojën për reforma thelbësore, u hap edhe çështja serioze që lidhet me financimin e RTM-së, Radiodifuzionit të Maqedonisë dhe ASHMAAV. Nga ana e një përfaqësuesi të rregullatorit mediatik u theksua se Qeveria, në një seancë, ka miratuar konkluzë për ndryshime të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (neni 105, paragrafi 1), me të cilat si bazë për llogaritjen e mjeteve do të merret viti 2023, e jo viti paraprak siç është paraparë në zgjidhjen aktuale ligjore. Kjo qasje mund të ketë efekt negativ mbi financimin e RTM-së, Radiodifuzionit të Maqedonisë dhe ASHMAAV-it dhe drejtpërdrejt ta kufizojë mundësinë për zbatimin e reformave të paralajmëruara, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
“Çdo ndryshim i kornizës ligjore që ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi financimin e servisit publik, infrastrukturës radiodifuzive dhe rregullatorit mediatik duhet të jetë transparent, i arsyetuar dhe i përgatitur me përfshirjen e të gjithë aktorëve relevantë. Zvogëlimi i bazës buxhetore, pa debat publik dhe pa konsultime paraprake me Këshillin Programor të RTM-së, ASHMAAV-in, Radiodifuzionin e Maqedonisë, organizatat e gazetarëve dhe komunitetin mediatik, krijon rrezik që reformat të mbeten vetëm zotim deklarativ. Financimi stabil dhe i parashikueshëm është parakusht për një servis publik të pavarur, profesional dhe modern. Pa mjete adekuate nuk mund të priten realisht punësime të reja, rifreskim kadrovik, digjitalizim i arkivit, modernizim teknologjik, zhvillim i platformave të reja, përmirësim i kushteve të punës dhe forcim i rrjetit të korrespondentëve”, thanë nga SHGM.
Kryetari i Këshillit Programor të RTM-së, Davor Pashoski, në këtë seancë theksoi nevojën për miratimin e një ligji të ri për RTM-në, rishikimin e Kodit Etik, forcimin e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave të dukshme për avancimin e punës së servisit publik. Ai nënvizoi se Këshilli Programor mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë, ndërsa vetë mbajtja e kësaj seance të hapur është konfirmim i një qasjeje të tillë dhe i përkushtimit për dialog më të gjerë profesional rreth të ardhmes së RTM-së.
Drejtori i ri i RTM-së, Zoran Ristoski, para të pranishmëve prezantoi drejtimet kryesore të programit të tij. Ai theksoi se synimi është rikthimi i nivelit të servisit publik, duke potencuar se pa servis publik të fortë nuk ka media të forta në shtet. Ristoski vuri në dukje se hapësira mediatike në Maqedoni në dy dekadat e fundit ka qenë në nivel të ulët dhe se nevojiten hapa seriozë për përmirësimin e saj.





