Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, përmes rrjetit të misioneve diplomatike bullgare jashtë vendit, në shtetet anëtare të BE-së dhe në Shkup, po zhvillon përpjekje aktive për të parandaluar çdo tërheqje, anashkalim apo vënie në pikëpyetje të obligimeve të marra nga Maqedonia e Veriut.
Këtë e deklaroi ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Velislava Petrova-Çamova, në përgjigje të një pyetjeje parlamentare, transmeton BGNES.
Sipas saj, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i konsensusit evropian të korrikut 2022. Ajo theksoi se Bullgaria kundërshton kategorikisht përpjekjet e Shkupit për të anashkaluar apo rinegociuar marrëveshjet ekzistuese.
Për Ministrinë e Jashtme bullgare, prioritet mbetet zbatimi i elementeve të miratuara në korrik të vitit 2022, duke respektuar vendimet e Kuvendit Popullor të Bullgarisë të 24 qershorit 2022 dhe 30 majit 2025 për integrimin evropian të Maqedonisë.
Petrova-Çamova deklaroi se janë mobilizuar të gjitha resurset institucionale dhe kanalet bilaterale e multilaterale të komunikimit për mbrojtjen e interesit kombëtar të Bullgarisë. Tema e respektimit të plotë të obligimeve nga Maqedonia e Veriut, tha ajo, mbetet lart në agjendën e të gjitha vizitave bilaterale, formateve multilaterale dhe konsultimeve politike me partnerët e Bashkimit Evropian.
Ajo shtoi se përpjekjet e Maqedonisë për të kontestuar statusin e Protokollit nga mbledhja e dytë e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar sipas nenit 12 të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, janë në kundërshtim me konsensusin evropian, pasi protokolli është pjesë e tij.
Sipas ministres, Ministria e Jashtme bullgare zhvillon dialog të rregullt me institucionet evropiane të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa partnerët evropianë informohen vazhdimisht për rastet e diskriminimit dhe, siç pretendohet, shkeljeve ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që vetidentifikohen si bullgarë dhe ndaj shoqatave të tyre.
Po ashtu, MPJ-ja bullgare informon rregullisht përfaqësitë diplomatike të vendeve anëtare të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Maqedoni, përfshirë OSBE-në dhe Këshillin e Evropës, për gjendjen e të drejtave themelore të komunitetit bullgar në vend.
Ministrja theksoi se Bullgaria vazhdon të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të informuar partnerët evropianë dhe institucionet e BE-së, përfshirë edhe përmes dokumenteve informuese të ashtuquajtura “non-paper”, lidhur me procesin negociues të Maqedonisë së Veriut dhe çdo përpjekje për devijim nga konsensusi i arritur.(INA)





