BE mbështet më fuqishëm agjendën reformuese për Maqedoninë me 65,7 milion, Shqipëria dhe Mali i Zi me më pakë mbështetje

Komisioni Evropian ka publikuar sot mbështetjen e agjendës reformuese për integrimin në BE. Qartë shihet se Maqedonisë i janë vendosur në dispozicion 65.7 milionë euro. Shumë më pakë janë vendosur në dispozicion mjete për vendet fqinje si, 49 milionë euro për Shqipërinë, 44.2 milionë euro për Malin e Zi. E gjithë kjo në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kjo vjen pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për reformat e zbatuara në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe në arsim dhe digjitalizim në Maqedoninë e Veriut.

Me këtë pagesë, shuma totale e fondeve të lëshuara deri tani arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.

Përparimi në agjendat reformuese

Në Shqipëri, reformat e vlerësuara nga Komisioni përfshijnë masa për përmirësimin e klimës së biznesit, lehtësimin e investimeve dhe inovacionit, si dhe zgjerimin e qasjes në financa, përfshirë për start-up-et dhe kompanitë që veprojnë në sektorët e gjelbër dhe digjital.

Nga 49 milionë eurot e ndara, 22.8 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), pas procedurave përkatëse të miratimit.

Në Mal të Zi, Komisioni vlerësoi reformat në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, përfshirë mbështetjen për shkencëtarët, bizneset dhe institucionet kërkimore, si dhe forcimin e mëtejshëm të ekosistemit kombëtar të inovacionit.

Nga 44.2 milionë eurot, 20.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të dedikohet për projekte investimi përmes WBIF.

Në Maqedoninë e Veriut, reformat e vlerësuara përfshijnë masa për përmirësimin e financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe zgjerimin e qasjes në infrastrukturë digjitale dhe pajisje IT në shkolla.

Nga 65.7 milionë eurot e ndara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes WBIF.

Fondet e dedikuara për WBIF, pasi të miratohen nga bordi i këtij mekanizmi, do të mbështesin projekte infrastrukturore në transport të qëndrueshëm, energji të pastër, digjitalizim dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.

Sfondi

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon t’u sjellë vendeve partnere të rajonit përfitimet e anëtarësimit në BE edhe para anëtarësimit zyrtar.

Ai synon integrimin e vendeve partnere në Tregun e Përbashkët të BE-së, avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe rritjen e fondeve para-anëtarësuese.

Plani mbështetet nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje, instrument financiar me vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Çdo gjashtë muaj, vendet partnere raportojnë për progresin e reformave të realizuara me mbështetjen e këtij mekanizmi. Pagesa e fundit financiare lidhet me periudhën e tretë gjashtëmujore të raportimit, që përfshin reformat e zbatuara deri në fund të dhjetorit 2025.

Shuma totale e financimeve të lëshuara nga ky instrument që nga viti 2024 arrin në 673.6 milionë euro./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit