“SHIJO EUROPËN ME LIBËR”: Europe House Tetovë shënoi Ditën e Europës me panair libri, punëtori për fëmijë dhe bisedë për letërsinë si urë mes kulturave

 

Librat dje e mbushën Europe House Tetovë me tregime, kureshtje fëmijësh dhe biseda për librin si diçka që i lidh njerëzit. Nën sloganin “Shijo Europën me libër”, Dita e Europës në Tetovë u shënua me panair njëditor të librave, punëtori për fëmijë, panel-diskutim me autorë dhe punonjës të kulturës, si dhe program muzikor, duke e afruar letërsinë te gjenerata të ndryshme dhe duke theksuar rolin e saj në ndërtimin e mirëkuptimit, përfshirjes dhe komunitetit. Vizitorët patën mundësi të njihen me botime nga tetë shtëpi botuese, të marrin pjesë në aktivitete për fëmijë dhe të ndjekin biseda kushtuar kulturës së leximit te të rinjtë.

Në kuadër të programit u mbajt punëtori për lexim për fëmijë në gjuhën maqedonase dhe shqipe, e realizuar në bashkëpunim me Mama (Mi) Çita dhe Saranda Mehmeti. Punëtoria e shndërroi librin në lojë, bisedë dhe zbulim të përbashkët, me qëllim që më të vegjlit ta ndjejnë letërsinë si pjesë të afërt dhe të gjallë të përditshmërisë së tyre.

Pjesë qendrore e ngjarjes ishte panel-diskutimi ku morën pjesë Saranda Mehmeti, Ksenija Nikolova, Vjollca Berisha dhe Kosta Petrov, me moderim nga Flora Shabani. Pjesëmarrësit diskutuan për rëndësinë e kulturës së leximit te të rinjtë, letërsinë si urë për mirëkuptim ndërkulturor, rolin e rrëfimit shumëgjuhësh në ndërtimin e komunitetit dhe nevojën që publiku i ri të ketë qasje më të madhe në libra dhe hapësira letrare.

Saranda Mehmeti theksoi se shkrimi nis me procesin e të kuptuarit të vetvetes. “E rëndësishme është të dish se çfarë dëshiron të shkruash. Letërsia gjithmonë sillet rreth kuptimit, ashtu siç sillet edhe njeriu rreth jetës së vet. Për një shkrimtar, ky udhëtim është si një perlë në det, e padukshme, por përmes saj mund të lindë një vepër e pastër dhe e mirë. Kur e kupton veten, është shumë më lehtë të shkruash”, tha Mehmeti.

Vjollca Berisha u ndal te shprehitë e leximit te fëmijët dhe të rinjtë, duke theksuar se kriza e leximit nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por edhe me mënyrën se si librat u rekomandohen fëmijëve. “Jetojmë në një kohë kur libri është në krizë, por kjo krizë nuk është krijuar vetëm nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë. Shumë e rëndësishme është se çfarë rekomandimesh marrin fëmijët. Rekomandimet shkollore dhe prindërore duhet të jenë më afër interesave dhe dëshirave të tyre”, theksoi Berisha.

Ksenija Nikolova theksoi se të rinjtë lexojnë ndryshe, por kjo nuk do të thotë se nuk lexojnë. “Teknologjia e ndryshon mënyrën se si i pranojmë informacionet dhe mënyrën se si lexojmë. Nuk do të pajtohesha se të rinjtë nuk lexojnë shumë. Më tepër do të thoja se lexojnë ndryshe. Më e rëndësishme është që libri të arrijë te lexuesi, pavarësisht kanalit. Dikush lexon më mirë, dikush dëgjon më mirë, të gjithë jemi të ndryshëm”, tha Nikolova.

Kosta Petrov foli për shkrimin si proces personal dhe si mundësi që njeriu të kthehet te përvojat e veta. “Librat e mi bazohen në atë që më ndodh në jetë. Kur shkruan, ke mundësi të kthehesh me detaje në të kaluarën dhe të shohësh çfarë personi ke qenë, çfarë ke mësuar dhe të kuptosh një gjë të rëndësishme: çdo kaos ka afat. Problemi që sot duket si fundi i botës, me kalimin e kohës ndoshta as nuk do ta mbash mend”, theksoi Petrov.

Në ngjarje mori pjesë edhe Sh.T. z. Jaroslav Ludva, ambasador i Republikës Çeke në Maqedoninë e Veriut, duke dhënë mbështetje për mesazhin se Dita e Europës mund të festohet përmes kulturës, arsimit, gjuhëve dhe përvojave të përbashkëta.

Në pjesën e librit të programit morën pjesë shtëpitë botuese Nobel, Albas, Ili-Ili, Sakam Knigi, Rezna, Polica, Bad Wolf dhe Sift. Pjesëmarrja e tyre e shndërroi Europe House Tetovë në hapësirë për dashamirët e letërsisë, nxënësit, studentët, familjet, lexuesit e rinj dhe komunitetin më të gjerë lokal.

Ngjarja përfundoi me DJ set, i cili e përmbylli programin në frymën e Ditës së Europës dhe të mesazhit se kultura mbetet një nga mënyrat më të fuqishme për të ndërtuar lidhje mes njerëzve.

Ngjarja është pjesë e serisë së aktiviteteve që Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House i organizojnë në kuadër të muajit të Europës, nën moton e përbashkët “Europa jonë”. Përmes librit, leximit dhe bisedës, “Shijo Europën me libër” edhe një herë tregoi se vlerat evropiane ndihen më fuqishëm kur ndahen përmes dijes, kulturës, gjuhëve dhe bashkësisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit